Nga sondazhet që kam kryer ndër vite, kam konstatuar një ndërlidhje të fortë statistikore mes rrënjëve politike familjare dhe prirjes së votimit në Bashkinë Tiranë. Pas mbarimit të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kam zhvilluar një sondazh rigoroz në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë (përfshirë edhe fshatrat), i cili konfirmon ndërlidhjen statistikore të sipërpërmendur.

Por para se të futemi në statistikë, le të merremi pak me historinë e Tiranës në tre paragrafëte e mëposhtëm.

Kur Tirana u bë kryeqytet një shekull më parë, shumica dërrmuese e politikanëve dhe zyrtarëve shtetërorë erdhën nga qytete të tjera të mëdha, sepse kishte qenë thjesht një qytet i vogël, që e lidhte një rrugë e keqe me kryeqytetin e mëparshëm – Durrësin. Deri në vitin 1938, popullsia e Tiranës u trefishua dhe elita politike-administrative-ekonomike e Shqipërisë së atëhershme ishte pothuaj krejtësisht e përqendruar në kryeqytet.

Me ardhjen e Partisë Komuniste në pushtet më 1944, elita politike-administrative-ekonomike e mëparshme u persekutua, dhe vendin e saj e zuri eleita e re komuniste, e ardhur më së shumti nga Jugu. Gjatë 45 viteve të pushtetit komunist ardhjet nga rrethet drejt kryeqytetit ishin të kontrrolluara rreptësisht prej regjimit komunist, e për rrjedhojë, u rrit ndjeshëm përqindja e familjeve që i kishin anëtarët në “punë të mira” – në ministrira, agjensira shtetërore, poste kyçe nëpër ndërmarrje shtetërore, drejtim organizatash partie, institucione etj. etj.

Pas vitit 1990, me rënien e regjimit komunist, Tirana ka patur lëvizje të fuqishme migratore të jashtme e të brendshme. Sidoqoftë, lëvizjet e brendshme kanë mbizotëruar me ardhjen nga të gjitha rrethet dhe nga të gjitha orientimet politike familjare – kontrollet e mëparshme migratore u zhdukën fare. Për rrjedhojë, nga Censusi i vitit 1989 deri në Censusin e vitit 2001, popullsia e Bashkisë Tiranë u dyfishua. Ndërsa aktualisht pothuaj është katërfishuar në krahasim me 1989-ën (në rritjen e fundit ka ndikuar edhe rritja administrative e territorit të bashkisë, që tani përmbledh edhe ish-komunat përreth).

Në amalgamën gjigande demografike që është krijuar në Tiranë, janë rreth 582 mijë zgjedhës me prejardhje nga më të ndryshme. Nga këta, sipas sondazhit të sipërpërmendur, rreth 21% janë zgjedhës nga familje në pozita të mira me pushtetin e para 1990-ës (ose rreth 120 mijë zgjedhës, me ekstrapolim të përafërt); rreth 68% janë nga familje pa anesi politike para 1990-ës (ose rreth 397 mijë zgjedhës, me ekstrapolim të përafërt); dhe rreth 11% janë nga familje të persekutuara para 1990-ës (ose rreth 64 mijë zgjedhës, me ekstrapolim të përafërt).

Dhe si votuan këta zgjedhës tiranas vjet më 25 prill 2021?

Ndër zgjedhësit nga familje në pozita të mira me pushtetin e para 1990-ës, mbizotëruan ata që votuan për PS+PSD (rreth 71 mijë). Ndër zgjedhësit nga familje pa anesi politike para 1990-ës, mbizotëruan ata që nuk votuan fare (rreth 154 mijë). Ndër zgjedhësit nga familje të persekutuara para 1990-ës, mbizotëruan ata që votuan për PD-An (34 mijë). Duke përmbledhur, për çdo 100 zgjedhës që votuan vjet për PD-An, 140 të tjerë votuan për PS+PSD (shihni tabelën shoqëruese).

Me pak fjalë, ndërlidhja e fortë statistikore mes rrënjëve politike familjare dhe prirjes së votimit në Bashkinë Tiranë ka vazhduar deri vjet, tre dekada pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm. Ose thënë ndryshe, dardhat kanë vazhduar të bien nën dardhë…

Dhe në qoftë se dardhat do të vazhdojnë të bien nën dardhë edhe në 14 majin e ardhshëm, kushdo që i fiton primaret e Tiranës do ta ketë malore të fortë përballjen me Veliajn.

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb