Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 këtë të premte rikujtoi për publikun historinë e familjes Ndreaj në fshatin Perlat të Rrëshenit. Bashkëshorti i Vida Ndreaj ndërroi jetë rreth shtatë vjet më parë, e la me tre fëmijë jetimë.

Krahu i djathtë për të ka mbetur më e vogla e shtëpisë Jonida, ajo është 9 vjeç po hallet e kanë pjekur shumë para kohë edhe babai i mungon shumë. “Burri ma ka lënë vajzën një vjeç, më pyet shpesh vajza a e kam një babë, më thotë të gjithë e kanë, të gjithë përgjigjen ndërsa ne nuk kemi asnjë”, thotë Vida.Ikja e të zotit të shtëpisë ja shtoi edhe më shumë hallet Vidës e fëmijëve te saj. “Jetoj në kushte shumë të vështira, në një dhomë, lagështira, çfarë bie jashtë futet edhe brenda”, shprehet Vida duke folur për banesën e saj.

“Në mure ka të zi, gati-gati do krijohet myshku, kam shumë frikë kam edhe alergji përherë marr frymë kur fle nuk duroj dot myshkun lagështirën”, thotë Jonida. Vida tregon se edhe kur bashkëshorti ishte në jetë problemet ekonomike dhe shëndetësore, kanë qenë të mëdha “Kam kaluar shumë vështirësi në jetë, që kur lindi në moshën 6 muajshe fëmija im u sëmurë, mjeku më tha 24 orë jetë ka. Ky alarm i ngriti burrë e grua të cilët morën rrugën për një jetë më të mirë në Greqi “Kemi marrë rrugën në këmbë, as nuk prita për pasaportat, shikonim vajzën rrugës a është gjallë a po merr frymë apo jo, serumet i kishte tek këmba dhe tek koka”, thotë gruaja.

Edhe në Greqi familja u nda.
“Tek policia na morën, na panë me vajzën e sëmurë, na thanë do na vdesin në dorë, djalin e dërguan tek burgu e mbajti policia. Ishim tek spitali i Selanikut, ma kanë marrë vajzën atje nuk na dhanë fare shpresë, i dolën epilepsi donin të na i dërgonin vajzën në Gjermani”.

Në Selanik jetuan 8 vjet sollën në jetë Jonidën, por nuk ia dolën dot, u kthyen në Shqipëri, në mes të mjerimin atje ku jetojnë edhe sot tashmë vetëm me dy vajzat e saj.

“Erdhëm në këtë dhomë, me blloqe betoni të pa suvatuar, lagështirë e madhe, këtu gatuaj, në këtë dhomë i laj fëmijët, me fëmije të sëmurë larg çdo kushti, kam përkrahje 40 mijë të vjetra larg spitalit larg shkollës, pa rrethim shtëpi.

“Unë them a do vijë ndonjë ujk, lakuriqi i natës, kam frikë, vëllai nuk komunikon me asnjë, e di që do të na ndihmojë. Unë marr s’patën, kur më lodhet shpina thotë pusho pak”, thotë vajza e vogël. Nënë e bij e mbajnë shtëpinë me punë të rënda, por Jonidës i rëndon dhimbja që ndien çdo ditë për nënën e saj “E shikoj të lodhur, si mund të duroj kaq shumë, them sa të rritem pak do ta ndihmoj, dua që mamaja ime mos të lodhet më, më dhëmb shpirti më ther, them me vetë të rritesha a ndihmoja, të ishim një familje si gjithë të tjerët, i shikoj të gëzuar të tjerët, dua të bëhem doktoreshë ta ndihmoj mamin, jeta ka kaq vuajtje sa shumë kam duruar, shikoj mamin duke qarë duke pirë ilaçe”, thotë me ngashërim 9-vjeçarja. Që kjo dhimbje të mbarojë ato kërkojnë ndihmë. “Si mund të kalohet jeta kështu nuk ke as të ardhme, gjithsecili të më ndihmojë, ajo pak për mua do ishte vërtete shumë, ju lutem të bëni një shtëpi për ne, nuk e di a do kemi ndonjë ditë të bardhë për vete apo për mamin apo për vete”, është lutja e Jonidës për shqiptarët.

https://www.youtube.com/watch?v=aym4KSaE0wg

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: