NGA: Fatmir Popja
ELBASAN- Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë mbuluar fshatrat malore të Librazhdit Gramshit dhe Elbasanit. Mësohet se trashësia e dëborës shkon nga 5-10 cm, ndërkohë që disa segmente të rrugëve rurale paraqesin vështirësi për momentin edhe pse reshjet janë ndërprerë dhe moti është i kthjellët.
Situata më problematike raportohet në aksin Lunik-Stebleve në Bashkinë Librazhd pasi në Zgosht ka patur rrëshqitje të tokës. Ndërkohë, pas përkeqësimit të motit, që u shoqërua me stuhi, pati probleme në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të rrethit të Librazhdit.
Kështu, problematike u paraqit situata në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit. Fshatrat Vehçan, Çerçan, Xhyrë, Buzgarë dhe Kokrevë mbeten pa energji prej mëngjesit të së mërkurës. Energjia sipas banorëve është rikthyer vetëm 30 minuta në mesditën e djeshme. Mungesa e investimeve në rrjetin shpërndarës në këtë zonë sipas banorëve shoqërohet me stakimin e energjisë në çdo kohë kur përkeqësohet moti. Sakaq, aksi kombëtar Prrenjas-Qafe Thanë është i kalueshëm, ndërkohë që trashësia e dëborës arriti 5cm.