ELBASAN – Vijon të jetë i bllokuar aksi rrugor Tiranë-Elbasan, për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave në fshatin Ibë. Policia bën të ditur se qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i ndaluar në këtë aks, deri në një vendim të dytë. Sipas policisë, rrëshqitja e vazhdueshme e dherave përbën rrezik për automjetet.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Gjika tha se rruga po mbahet e bllokuar për arsye sigurie. Sipas tij, autoritetet janë të angazhuara maksimalisht për normalizimin e situatës.

“Po vlerësojmë situatën. Nuk duhet të nxitohemi, presim mendimin e specialistëve të hedhim hapa të sigurt. Jemi të angazhuar maksimalisht, po ndjek vetë situatën. Rrugën po e mbajmë të bllokuar për arsye sigurie. Nesër mendoj do të marrim masat e para për të qenë të sigurt.”- deklaroi Gjika.

Në një njoftim për shtyp një ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se “rrëshqitja në zonën e Ibës para tunelit të Elbasanit, ka ndodhur në orën 4:20 të mëngjesit të së shtunës”. Sipas ARRSH-së, janë marrë masat paraprake duke bllokuar trafikun dhe evakuuar banorët për arsye sigurie, ndërsa trafiku do të mbetet i bllokuar deri në një njoftim të dytë.

“Po bëhet vlerësimi i situatës për të përcaktuar me saktësi thellësinë e rrëshqitjes. ARRSH ka pasur angazhim të plotë. Stafi i saj ndodhet ende në zonë. Është ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin sa më të shpejtë të situatës dhe dëmeve në zonë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të ARRSH-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb