NGA: BRIKENA METAJ*
TEPELENE- Reshjet e ditëve të fundit rrezikojnë furnizimin me ujë të pijshëm në Tepelenë e Memaliaj. Një fakt i tillë është bërë publik nga Ujësjellës Kanalizime Tepelenë. Me anë të një deklaratë për shtyp Ujësjellësi ka bërë të ditur se shkak i kësaj situatë është bërë dëmtimi i rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Është dëmtuar rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm. Rrezikohet furnizimi për Tepelenën e Memaliajn. Kemi kërkuar ndërhyrje emergjente. I dëmtuar rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm në dy qytetet si pasojë e shkarjeve të dheut.”, citohet në reagimin e Ujësjellës Kanalizime Tepelenë.

Ndërkohë, kreu i Ujësjellësit, Arben Kacorri pohoi se kanë kërkuar që të merren masa emergjente. “Kemi kërkuar ndërhyrje emergjente. Ministria e Transportit të zgjohet nga gjumi dhe të reagoje sa më parë.”, tha Kacorri.

REAGON MTI: JANE MARRE TE GJITHA MASAT
Fill pas akuzave të kreut të Ujësjellës Kanalizimeve në Tepelenë, ka reaguar ministria e Transporteve. Sipas një njoftimi në për shtyp, MTI pohoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ujin e pijshëm. “Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve e ka ndjekur nga afër situatën e Ujësjellësit në qytetin e Tepelenës e Memaliaj, ku janë vërejtur disa problematika, por gjendja është në kontroll dhe nuk paraqet situatë emergjentë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe D.P.U.K pas kontrolleve të shpeshta në këtë rajon, kanë parashikuar edhe në buxhetin e këtij viti ndërhyrje për të rregulluar rrjetin. Sigurojmë qytetarët e Tepelenës dhe Memaliajt, se furnizimi me ujë do të vazhdojë normalisht, ndërsa i bëjmë thirrje përfaqësuesve lokal ti evitojnë deklaratat që reflektojnë panik.”, citohet në reagimin e MTI-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: