GJIROKASTER– Kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami ka zhvilluar një takim me banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga rrëshqitjet e tokës. Kryetarja e bashkisë tha se evakuimi i banorëve duhet të vazhdojë ashtu siç rekomandon raporti i Shërbimit Gjeologjik dhe qeveria duhet të shpallë këtë zonë emergjencë civile.

“Ndërhyrjet duhet të jenë në kohë të shpejtë. Kemi kërkuar edhe ndihmën e tre specialistëve. Nëse ata pohojnë se ky evakuim duhet të vijojë, këshilli i bashkisë do të aprovojë një vendim për marrjen e shtëpive me qira. Ekipi që vjen nesër do të kryejë studimin e zonës për të përcaktuar nëse objektet janë në rrezik. Është një emergjencë që duhet zgjidhur patjetër. Do të qëndroni edhe disa ditë jashtë banesave tuaja deri sa të dalim në një konkluzion përfundimtar”- tha Zamira Rami.

Tetëmbëdhjetë familje të lagjes “Punëtori” në Gjirokastër u zhvendosën një javë më parë në ambientet e konvikteve të qytetit për të parandaluar skenarë tragjikë. Ekspertët kërkojnë ndërhyrje emergjente për rritjen e sigurisë përmes masave inxhinerike për vendosjen e ekuilibrit në zonë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb