Deputetja Lindita Metaliaj, ka reaguar lidhur me situatën e përmbytjeve në Lezhë. Metaliaj shprehet se shkak i përmbytjeve në qytet është mosinvestimi nga pushteti qendror, ndërsa shton se problematika situate mbetet në zonat rurale pasi sipas saj ndodhen në gjendje alerti.

Deklarata:

Situata në fakt në qytetin e Lezhës është dramatike. Është ndër dramatiket në dekadën e fundit. Në fakt është një situatë e paparë, dhe absolutisht i gjithë qyteti, por edhe zonat rurale janë në kaos, dhe në gjendje alerti.

Aktualisht, në këto momente që flasim, janë 25 shkolla të evakuuara. Mësimi është pezulluar në 25 shkolla të Lezhës, edhe në fshatra. Po ashtu, në qytetin e Lezhës, gjë kjo që nuk ka ndodhur kurrë më parë, përveçse lagjes ‘Besëlidhja’, e cila herë pas here përmbytej, është e bllokuar. Nuk hyn dhe nuk del dot nga qyteti i Lezhës. Katet e para të pallateve dhe bizneseve janë totalisht nën pushtetin e ujit. Siç e shihni dhe ju lumi Drin tani ka dalë nga shtrati.

Situata flet vetë, unë nuk kam pse ta komentoj më shumë se kaq. Është pamje e qartë, lumi ka dalë komplet nga shtrati. Është një situatë që agravohet, vit pas viti.

Tani, pse përmbytet qyteti i Lezhës?

Qyteti i Lezhës përmbytet, sepse edhe kanali i ujërave të larta, është mbledhësi i ujërave të larta nga përrenjtë që vijnë nga mali në lagjen e spitalit që vërshojnë më pas në Varrezat e Dëshmorëve, rrjedhin në lagjen ‘Besëlidhja’, duke vërshuar në rreth 11.2 hektarë në lagjen e qytetit. Nuk është bërë asnjë investim i kërkuar, ka përmbajtje inertesh të cilat vërshojnë nga mali, nga lagjia e spitalit, dhe gjithmonë atje është kaos. Nuk zbret dot as ambulanca për në spital.

Në anën tjetër është sifoni i ujërave të bardha që ndodhet në lagjen ‘Shtrauz’. Ai është bllokuar tashmë nga ndërtimet e shumta, nuk është vënë dorë. Pra, janë një sërë faktesh, dhe faktorët që e përbëjnë këtë situatë dramatike përmbytjesh aktualisht që flasim në qytetin e Lezhës.

Një problematikë tjetër është edhe mungesa e energjisë elektrike në qytetin e Lezhës, por edhe në zonat rurale. Ka patur ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, ç’ka ka sjellur që edhe hidrovorët të mos punojnë në kapacitet të plotë. Në hidrovore nk ka patur investime. Qoftë në hidrovorin e Gocaj, apo në Talë, gjatë ditës së sotme është ndërprerë në mënyrë të vazhdueshme, sepse ka mungesë me burim të dytë energjie në këto hidrovore.

Pra, nuk investohet në lumin Drin, krahas edhe në zgjerimin e lumit Drin. Nuk ka investime në hidrovore. Është projekti i ri i hidrovorit të Balldrenit, i cili është akoma në tryezën e kryeministrit Rama, dhe nuk investohet.

Kemi akoma probleme të shumta, mungesë në investime në blerjen e pajisjeve të mjeteve të rënda. Qoftë në eskavatorë, apo në pajisje të tjera.

E gjithë kjo mungesë investimesh dhe vëmendjeje për Lezhën sjell që situata të degradojë. Nuk është koha për të bërë politikë, por nuk heshtim dot së bëri politikë, sepse jam përfaqësuese qytetarëve dhe duhet të pasqyroj në mënyrë reale situatën dramatike dhe gjendjen që ndodh sot në qytetin e Lezhës, por jo vetëm, edhe në zonat rurale gjithashtu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: