Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Në vështrimin kohor, rrethimi i Edi Ramës nga “armiq” të hapur e të fshehtë, të njohur e të panjohur, fizikë e psikologjikë, tradicionalë dhe bashkëkohorë, ka nisur menjëherë pas kthimit nga Parisi dhe zgjedhjes, fillimisht ministër i Kulturës e më pas kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kam bindjen se do të këtë qenë i parapërgatitur apo i ndërgjegjshëm për të mirat dhe e të këqijat, për risqet dhe shanset e futjes në piramidën e politikës shqiptare, për rrethimin jo vetëm nga tifozë, por edhe nga kundërshtarë si dhe nga një kontingjent njerëzish, vështirë të identifikueshëm për ndjenjën dhe qëndrimin ndaj tij. Jo për lindjen me këmishë dhe qenien e tij në zemrën e ndonjë engjëlli qiellor, as për vlera dhe merita të pallogaritshme e të pakonkurrueshme, por nga një llogari e gabuar e paraardhësit të tij, ambicieve të tij personale iu hap drita jeshile dhe rruga për t’u ngjitur në kupolën më të lartë të piramidës së PS-së. Me kapjen e fronit dhe të skeptrit të kryetarit të PS-së, ky rrethim u bë edhe më i plotë e më i fortë. Ndërsa pas 23 qershorit 2014, kur u ul edhe në kolltukun e kryeministrit të Shqipërisë, rrethimi i Edi Ramës mund të llogaritet si i përfunduar dhe i përforcuar nga brenda e nga jashtë. Këtë ai e lehtësoi edhe vetë, duke rënë viktimë e bindjes së tij të gabuar, shprehur edhe në një intervistë për gazetën e Universitetit të Harvardit në SHBA, se “në politikë përvoja është ajo që vret inovacionin dhe reformën” dhe e eksperimentit të mbushjes së qeverisë me ministra dhe ministresha, “që nuk kanë qenë kurrë ministra”. Por të zgjedhësh në kohë krize në këto poste “praktikantë” apo “stazhierë”, kur bota përgjithësisht ka vendosur specialistë me pjekuri si moshë e me pasuri nga përvoja dhe meritat, është jo vetëm eksperiment, por edhe aventurë e rrezikshme me fatet e vendit e të qytetarëve. Paralelisht me ta apo edhe si të përzgjedhur prej tyre, i dehur nga kolltuku kryeministror dhe plotpushtetet, ai nuk vuri re apo lejoi me dijeni që t’i futeshin nga dyert e dritaret në zyrat qeveritare disa njerëz pa CV me vlera të spikatura intelektuale e me kontribute të shquara për PS-në, por në të kundërtën, me dosje të bollshme shpërdorimesh, abuzimesh, korrupsioni, inkriminimi në trafiqe, procesesh dhe dënimesh gjyqësore apo jo pak, edhe me diploma të blera në universitete private… Prania e tyre përkrah apo jo larg tij, angazhimi i tyre në aksione apo operacione në fusha ku nuk ishin as të panjohur e as pa lidhje, pa gjurmë dhe interesa të vjetra e të reja, natyrisht dëmtonin jo vetëm besueshmërinë në suksesin e këtyre veprimeve, por edhe imazhin, sinqeritetin dhe seriozitetin e të gjithë ekipit qeveritar.
Edhe pse e ndjente gjithnjë e më fort rrethimin e brendshëm, sidomos nga vetvetja në tërësi, si koalicion dhe qeverisje, si dhe presionin e vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian, Edi Rama e përforcoi këtë rrethim nga jashtë, edhe me nënshtrimin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Natyrisht, duhej të kishte informacion të bollshëm nga përvoja e shumë qeverive në vende të tjera, në rajon e më gjerë, se kreditë e këtyre dy institucioneve janë si thika me dy presa. Shprehur ndryshe mund të quhen edhe si kulaç e kërbaç njëherazi. Shpejt do të bëhej e qartë se zbatimi i kushteve dhe kërkesave të tyre do të çonte pashmangshmërisht në shtyrjen për në kalendat greke të plot premtimeve gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit 2014.
Edi Rama me shokë e shoqe janë de facto të rrethuar edhe nga mbetjet e fundit të enverizmit, nga fantazmat, mentaliteti dhe trashëgimia që mbajnë gjallë ata akoma në zemër e mendje apo dukshëm, në format e portreteve, grushteve të ngritur lart, bunker-ekspozitës, apo fshehur trashë në disa ceremoni dhe emisione në kuadër të jubileut të 70-vjetorit të LANÇ…
Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të tij nuk mund t’u mohohet e drejta që t’u kërkojnë qytetarëve më shumë durim e kohë për të vazhduar qeverisjen. 14 muaj janë vërtetë pak për të krijuar bindje të plotë si për kapacitetin konstruktiv të qeverisë “Rama” dhe për suksesin e saj, ashtu edhe për paaftësinë dhe pamundësinë e saj për t’i realizuar premtimet dhe objektivat në fund të mandatit të parë qeverisës. Kështu që qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë, durojnë e presin, duke i larguar skepticizmin e pesimizmin dhe duke i mbajtur sytë nga Edi Rama, me shpresën se mos ndryshon mendje dhe ua rrit pagat, pensionet dhe pagesën mjerane të mbështetjes sociale, qoftë edhe me 3-4% në vit, siç bënte qeveria “Berisha”. Por shtimi dhe rritja e taksave, rritja e çmimeve të shumë artikujve të konsumit të përditshëm, përfshirë energjinë elektrike, ujin, karburantet, cigaret, tarifat shkollore e konviktore i terrorizojnë shumë qytetarë me frikën jo të kotë se në vend të “Rilindjes” dhe mirëqenies, qeverisja PS-LSI po u sjell krizën dhe varfërimin më të madh dhe një regjim që di më shumë të marrë e të shembë se sa të japë e ndërtojë, që e mbështet të ardhmen më shumë te policët se sa tek arsimtarët.
Mund të thuhet se gjatë këtyre afro 14 muajve nuk do të kenë qenë të pakta ditët apo netët kur kryeministri Edi Rama mund të jetë ndjerë krejt i vetëm “lakuriq midis ujqërve”. Merret me mend se këta, edhe kur ai mund të ketë nevojë për vetmi e qetësi, sipas një praktike të sprovuar, i rrinë afër e përreth, i flasin në vesh ose punojnë pas kurrizit të tij, vetëm për të rrëmbyer për vete, për familjet dhe kompanitë e tyre copat më të mëdha nga tenderat dhe burime të tjera qeveritare. Shprehur ndryshe, kryeministri mund të ketë përjetuar jo rrallë çaste kur ka qenë me shokë e shoqe midis shumë joshjeve vështirë të përballueshme e zjarreve të afërt apo të largët, thëngjijtë e të cilëve, siç e dëshmoi edhe pësimi pak ditë më parë i ish-kryeministrit socialist të Portugalisë, José Socrates, mund të djegin edhe pas shumë vitesh.
Qeveria “Rama” dhe sidomos shefi i saj, individualisht janë të rrethuar edhe nga ana e opozitës. Falë tejzgjatjes së saj si në gjendje kome pas goditjeve që mori më 23 qershor 2013 për ringritje e reformim të fortë dhe për një strategji të re e të mirëstudiuar opozicioni dhe për rikthim të sigurt në pushtet, qeveria “Rama” nuk po e ndjen fort dhe seriozisht rrethimin nga e djathta. Për këtë mund të thuhet se po ndihmohet edhe nga mbetja e PD-së, edhe tani pas një viti e gjysmë, më shumë nën udhëheqjen e Sali Berishës se sa drejtimin e Lulzim Bashës apo në drejtimin e plotë të asnjërit prej tyre.
Edhe pse e favorizuar nga thellimi i krizës ekonomiko-financiare në Shqipëri e në vendet fqinje; nga konsumimi politik e nga ulja e nivelit të mbështetjes së qeverisë dhe koalicionit që përfaqëson si rrjedhojë e aksioneve, operacioneve dhe reformave; nga gabimet, mosrealizimi i plot premtimeve dhe vetëdiskreditimi i PS-së dhe qeverisjes PS-LSI, sidomos me shtimin e taksave dhe rritjen e çmimeve, etj., përsëri PD-ja vazhdon të duket dhe veprojë më shumë si spektatore se sa si aktore. Protesta masive e 22 nëntorit në Tiranë, e nxitur dhe e mbështetur nga motive të forta sociale, përcolli mesazhin shpresëdhënës se PD-ja “u zgjua” dhe doli nga “koma” e gjatë. Por duhet uruar e shpresuar që ajo të mos dehet nga mbushja e bulevardit me aq shumë qytetarë protestues, sepse “merita” për këtë është më shumë e qeverisjes PS-LSI dhe personalisht e kryeministrit Rama. Nuk ka arsye të forta për eufori as nga rezoluta me mesazhe të qarta mbështetëse e Partive Popullore Evropiane (PPE). Natyrisht duhet uruar që PD-ja t’i shmanget edhe nënshtrimit ndaj fatit, që nga fuqia e saj e paktë politike e parlamentare, të presë me sytë nga qielli, nga Uashingtoni apo nga Brukseli. Apo që Edi Rama të tjetërsohet, të ndërrojë mendje e rrugë nga ajo që pa e dëgjoi në protestën e 22 nëntorit në Tiranë dhe ndryshe nga premtimet e 23 qershorit 2013 dhe akullsia sociale që rishprehu edhe në “debatin” me Pandeli Majkon gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2015, të nisë t’i plotësojë një e nga një kërkesat që i bëri lideri i PD-së, Lulzim Basha, në fjalimin e tij në protestë apo të grupuara në një listë me 9 kërkesa, më 24 nëntor.
Deri sa PD-ja të vazhdojë duke e goditur qeverisjen PS-LSI nga jashtë parlamentit, me topa letrash në konferenca, deklarata shtypi e në mitingje të rrallë e për mall, për ekrane dhe “Facebook”, duke e parë Berishën si “perëndi” dhe Bashën juridikisht si kryetar, duke iu dashur vite që t’i piqen e të nisin të japin fryte “fidanët” e rinj në përbërje të Këshillit Kombëtar e të ekipit të koordinatorëve, qeveria “Rama” duhet të jetë e vetëdijshme se bën mirë të ruhet më shumë nga vetvetja apo nga e majta se sa nga PD-ja dhe e djathta.
Gjithsesi, është apo nuk është akoma i vetëdijshëm Edi Rama personalisht, ka kohë që shprehet dhe duket se ai është i rrethuar fort nga të gjitha anët e prandaj bën mirë të ruhet nga çdo anë. E keqja prej politikës dhe qeverisjes apo si ndëshkim prej politikës së gabuar dhe keqqeverisjes mund t’i bjerë mbi kokë edhe nga ajo anë e në atë kohë kur ai mund të ndjehet më i sigurt e më i paprekshëm, edhe nga gurët që ka hedhur lart me duart e tij.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: