Gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Enrik Mehmeti, rrëfen detajet e para pas ngjarjes së rëndë në Vlorë, ku një grabitës vodhi me armë një argjendari, duke rrezikuar edhe jetën e gazetarit.

Gazetari Mehmeti tha se kishte parë brenda dyqanit dy persona të shtrirë në tokë, ku njëra prej tyre i kërkonte ndihmë me shenja. Në momentin që ai është afruar, grabitësi ka dalë nga dyqani me armën drejt gazetarit, por fatmirësisht nuk ka qëlluar.

“Pashë që diçka nuk shkonte, pasi brenda në dyqan ishin dy persona të shtrirë dhe pashë që shitësja më bënte me shenjë. U afrova dhe pashë grabitësin. Kur pashë dy njerëz të shtrirë, mendova se ishte neutralizuar një prej grabitësve, por pasi grabitësi doli i vetëm i maskuar me një bluzë dhe një çantë me armë, ka ngritur armën, në atë moment jam larguar në anë të rrugës.

E ndoqa nga pas dhe dëgjova krisma. Në fakt kanë qenë krismat e policisë, që i kanë kërkuar të dorëzohet, dhe i kanë kërkuar të hedhë armën, një lloj pushke. Më pas, policia ka arritur ta neutralizojë. Vetë grabitësi iu ka kërkuar pronares dhe punonjëses të shtrihen në tokë.

Kam rrezikuar vërtet jetën, pasi grabitësi ishte i armatosur, në momentin kur shitësja më kërkonte ndihmë. Me njërën dorë mbaja telefonin, dhe me dorën tjetër kam njoftuar qytetarë të tjerë dhe policinë. Arrita ta filmoja gjithë momentin dhe procesin e grabitjes, edhe momentin e largimit të tij, duke e ndjekur edhe nga pas. Autori doli nga dyqani me armën drejt, unë e ndoqa nga pas, deri në momentin kur u neutralizua nga policia. Unë kisha me vete edhe familjen”, tha gazetari Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb