Jo thjesht për shkak se është bërë zakon që në fund të vitit të bëhen bilance apo të meditohet mbi atë që iku por më së shumti për shkak se jemi me të vërtetë në një moment shumë të rëndësishëm të trajektores që ka marrë vendi ynë shoqëria ka nevojë dramatike të ndalet dhe të mendojë thellë mbi këtë trajektore dhe mbi pasojat. Kurrë në këto vite pluralizëm ardhmëria e vendit nuk ka qenë më shumë në diskutim, me përjashtim ndoshta të vitit 1997.

Kurrë ndonjëherë përpjekjet për ta fshehur të vërtetën e këtij momenti nuk kanë qenë më të mëdha. Kurrë ndonjëherë njerëz me pushtet në media, në shoqërinë civile, në institucionet që njihen si të ndërmjetme (bota universitare, televizionet, institucionet e kultit, akademia etj) nuk kanë qenë kaq të paafta për ta parë këtë gjendje. Shumë njerëz në media, shumë të tjerë në shoqërinë civile apo në televizione në mënyrë të poshtër e veshin me qëllim të vërtetën e këtij momenti, flasin për një qeverisje normale madje të mirë. Këta pa asfare turp madje sulmojnë për të keqe, të paftë apo të korruptuar opozitën e cila ka shtatë vite që ka lënë pushtetin, madje ka dalë fare në rrugë duke u bërë një grup njerëzor siç mund të jenë mësuesit, minatorët apo të pastrehët e tërmetit.

Gjithnjë, kur një tirani ka ardhur në botë, shumica e njerëzve nuk kanë qenë të vetëdijshëm për të. Ato ia kanë dalë të shfaqen si normale, jo vetëm si të parrezikshme, por edhe si të mira apo shumë të mira. Në shumicën e rasteve shumë njerëz i kanë lejuar ato, i kanë pranuar ato, ose i kanë ndihmuar ato. Ajo që ato kanë sjellë, jo thjesht humbje të lirive por krime, burgje, mjerim, vrasje, internime, izolim e tj.

Kur erdhi, në vitin 1922, Musolini në Itali shumica e italianëve nuk ishin të vetëdijshëm se çfarë përfaqësonte regjimi që po vinte. Mjaft prej tyre qëndruan indiferentë ndaj Musolinit dhe sloganeve, ndaj këmishëzinjve (mbështetësve paramilitarë të partisë së Duçes), mjaft të tjerë i përkrahën ose i panë me shpresë. Kur erdhi Hitleri në Gjermani, në vitin 1933, ishte e njëjta gjendje. Kur erdhi Lenini në vitin 1917, Mao Ce Duni në vitin 1949, Fidel Kastro në vitin 1960 etj., ishte po e njëjta gjendje.

Edhe në Shqipërinë e vitit 1945 kishte mjaft njerëz që ishin indiferentë, kishte mjaft të tjerë që nuk besonin kurrë se komunistët do të bënin ato krime që kryen, që do të hapnin kampe përqendrimi për kundërshtarët, që do të izolonin vendin, që do të mbyllinin kishat dhe xhamitë, që do të grabisnin pronat. Në vitin 1945 komunistët shqiptarë u përpoqën ta paraqesin, jo thjesht si normale qeverinë e tyre dhe atë që donin të bënin, por si bekim. Në dhjetor të vitit 1945 u mbajtën zgjedhje pluraliste që u manipuluan trashë nga komunistët. Po atë vit nisi ngritja e institucioneve të reja të shtetit dhe historia më pas dihet.

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është saktësisht e njëjta gjë që ka ndodhur me instalimet e tiranive apo formave të tjetra të regjimeve autokratike. Shumë njerëz, as që e mendojnë se Rama po instalon një tirani, shumë të tjerë mendojnë se është marrëzi të flasësh për tirani, shumë të tjerë thonë se më shumë ka një luftë të pandershme që i bëhet Ramës nga opozita. Është në natyrën e qeverisjeve të tilla autokratike që arrijnë të krijojnë këtë atmosphere, që arrijnë të manipulojnë një pjesë të rëndësishme të popullit ose të opinionit.

Duke qenë se bota vitet e fundit po përballet me shfaqjen, gjithnjë e më shumë të një gjuhe autoritariste apo edhe totalitare, duke qenë se parti dhe formacione të tjera politike antidemokratike dhe totalitare po bëhen më të forta, duke qenë se rreziku i ardhjes së tyre në pushtet po rritet, duke qenë se mundësia që të rikthehen regjime si ai i Enver Hoxhës apo Musolinit, në forma të tjera edhe më perverse, janë të mundshme, shqetësimet mes filozofëve, politologëve, sociologëve por edhe politikanëve janë rritur shumë. Këto kohë është prodhuar literaturë shumë e gjerë që flet për këto rreziqe.
Kjo literaturë ndihmon të kuptojmë se çfarë po ndodh me disa vende si ne, kjo literaturë ndihmon të dalësh përtej atmosferës së ndotur nga propaganda e qeverive dhe e politikanëvedhe të shohësh se çfarë janë ata dhe çfarë rreziku real endet mbi vende si ne. Profesori i Universitetit të Yale, Timothy Snyder, botoi pak kohë më parë librin “Mbi Tiraninë: 20 mësime nga shekulli i 20-të”. Snyder ka marrë në analizë shumë vende të cilat ranë nën regjime të tilla totalitare, fashiste apo komuniste.

Ai vë re katër faza kryesore nëpër të cilat kaluan këto vende.

Faza e parë është ajo e bindjes, para se regjimi të bëhet plotësisht totalitar apo autokratik. Në Gjermaninë e Hitlerit pas 1933, në Çekosllovakinë e Gotvaldit pas vitit 1948, në Hungarinë e Rakoshit pas 1949, në Poloninë e Gomulkas pas 1947 etj., pati mjaft njerëz që nuk reguan, pati shumë njerëz që e pranuan në heshtje sepse ruanin vendet e punës, ruanin rehatitë ose interesat e tyre personale, pati shumë njerëz që nuk e quajtën problem arrestimin e kundërshtrarëve politikë, pati njerëz që nuk u shqetësuan nga mënyra se si i mbajtën zgjedhjet apo si i fituan zgjedhjet nazistët dhe komunistët etj.

Pati njerëz që i miratuan dhe u përfshinë edhe vetë në dhunën ndaj të tjerëve, ndaj hebrenjve ose ndaj antikomunistëve. Kështu, në Austri mjaft austriakë grabitën hebrenj, grabitën prona të tyre, u angazhuan edhe në akte dhune ndaj tyre. Në Hungari ose Cekosllovaki shumë njerëz iu turrën antikomunistëve dhe nacionalistëve, i rrahën, i grabitën etj. Kjo gjë thotë Snyder ishte fatale sepse i dha mundësi nazistëve dhe komunistëve që të konsolidonin gradualisht pushtetin, të të forconin propagandën dhe kontrollin dhe ta shisnin në fazën e parë regjimin e tyre si një gjë normale.

Kjo gjë ka ndodhur, sigurisht, në vitin 1945 e më pas në Shqipëri. Ka patur grabitje, dhunë, indiferencë dhe miratim nga një pjesë e madhe e popullit. Pa asnjë ekzagjerim kjo po ndodh edhe sot. Ata që janë në punë shkojnë në takimet e Ramës dhe Veliajt, duartrokasin fjalimet e trye, miratojnë veprimet e tyre. Sot ka mjaft njerëz që miratojnë sasitë e gazit që hedh ministri Lleshi, që nuk iu duket fare problem arrestimi i njerëzve që protestojnë, që nuk iu duket shqetësim prishja e shtëpive, që duan që opozita të burgoset, që duan që zgjedhjet të mbahen me një parti, që nuk iu bën përshtypje ajo që ndodhi në Dibër (përgjimet e BILS), apo ajo që ka ndodhur me përfshirjen e krimit në politikë. Sot ka shumë njerëz që nuk e shohin si shqetësim ligjin e turpshëm “antishpifje”, sot ka shyumë njeërz që nuk u duket problem ligji tipik autokratik kundër asaj që Rama po e quan “KçK”.

Faza e dytë është ajo e rënies së institucioneve. Në Gjermani, në Hungari, në Cekosllovaki, etj., menjëherë pas ardhjes në pushtet të Hitlerit, Gotvaldit dhe Rakoshit, nisi faza e rënies së institucioneve. Hitleri miratoi një akt kushtetues i cili dha atij fuqinë e nxjerrjes së ligjeve. Me anë të këtij akti gradualisht ai nisi të rrëzojë si institucione të pavarura gjykatat, prokurorinë, policinë, ushtrinë, mediat, etj.

Ranë njëra pas tjetës të gjitha gjykatat dhe të gjitha institucionet e pavarura. Në Cekosllovaki, në Poloni, në Hungari etj., Snyder vëren se u bë e njëjta gjë, por në forma të tjera. Me anë të ndryshimit të kushtetutave regjimet komuniste ia dolën ngadalë t’i nënshtrojnë të gjitha institucionet.

Më pas mbërrihet në fazën e tretë, që është marrja nën kontroll e këtyre institucioneve. Në to emërohen njerëz besnikë ose ata që janë gati të kthehen në shërbëtorë të zellshëm të regjimit. Për pak vite gjykatat dhe prokuroritë, policia dhe shërbimet e inteligjencës, mediat dhe kompanitë e mëdha të biznesit vihen në shërbim të regjimit në Gjermani, në Çekosllovaki, në Hungari etj.

Shqipëria sot ka kaluar fazën e parë dhe të dytë dhe është në zhvillim faza e tretë. Nuk ka mbetur asnjë institucion pa rënë. I vetmi institucion që kundërshton qeverinë, presidenti, është në procedurë shkarkimi. Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë rrëzuar dhe tashmë kanë hyrë në fazën e re të rikapjes. Mjafton Dvorani dhe maskarallëqet me Arta Vorpsin dhe betimin tek noteri. Prokuria ka rënë. Ishte Marku erdhi çela që do të vijoëj atë rrugë. Në krye të SPAK si me magji u zgjodh në krye një njeri që ka hetues në kohën e komunizmit ndonëse më herët ai mori më pak pikëse një prokuror tjetër nga vetë ata që e emëruan. Shërbimi Informativ është marrë nën kontroll me emërimin e Helidon Bendos.

Faza e katërt është faza e instalimit të partisë-shtet. Kjo fazë ka shumë të theksuar fuqizmin e dallimit ‘ne’ dhe ‘ata’ dhe kjo fazë bën që për çdo emërim dhe për çdo vendim merret leje në parti. Kjo gjë ka qenë e pranishme në Shqipëri vazhdimisht, por dërgimi në krye të institucioneve kushtetuese i njerëzve të miratuar nga partia, nuk ka qenë aq i mundur. Në këtë fazë, partia në pushtet, thotë Snyder nuk e pranon më opozitën legjitime. Ajo e sulmon atë si armike të vendit, si sabotatore dhe kërkon që ajo të dalë jashtë ligjit ose të dobësohet në atë masë që nuk është më një rrezik. Në vend të saj synohet të krijohet një opozitë e re. Me përmbylljen e saj, faza e katërt bën të mundur që opozita të jenë organizatat vasale të partisë shtet.

Shqipëria është aktualisht në mes të pikës së tretë, që është në zhvillim dhe shfaqjes në horizont të pikës së katërt. Mbajtja e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte një gur i rëndë që u vendos në përmbylljen e fazës së tretë dhe në skicimin e qartë të fazës së katërt. Sulmet e vazhdueshme ndaj PD-së, akzuat qesharake për lobim rus ndaj Bashës, thirrjet në prokurori apo gjyq të saj, kërcënimet se opozita nuk “ka se çfarë të bëjë, ajo nuk e dëmton dot qeverinë pro vetëm Shqipërinë,” ose se “opozita punon kundër vendit, është armike” etj janë normale për këtë fazë të instalimit të regjimit.

Timothy Snyder konkludon se bota u vu përballë rrezikut të totalitarizmave apo autokracive, sepse pas rënies së luftës të gjithë menduan se ne hymë në “politikën e pashmangshmërisë”, që do të thotë se demokracia ëshstë e pashmangshme, se ajo do të ecë përpara kudo duke u forcuar. Snyder thotë se kjo gjë bëri që mjaft vende demokratike të ulin “gardhet mbrojtëse” dhe të jenë mjaft të ekspozuara nga këto rreziqe. Ka edhe mjaft arsye të tjera, të cilat i vë në dukje Snyder, dhe që kanë bërë të shfaqen këto rreziqe. Kur këto rreziqe janë edhe për disa vende që kanë qenë demokratike, imagjino çdo të thoshte Snyder për ne. Me siguri që ne do të na përfshinte në grupin e vendeve që ranë në regjime autokratike, ose që ishin në zgrip të kësaj rënieje. Se ç’do të ndodhë do të varet vetëm nga reflektimi jonë si shoqëri dhe nga asgjë tjetër.

*pedagog, shkenca politike

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb