Janë ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt dhe skuadrat po bëjnë maksimumin për të hyrë në zonën play-off. Kampionët në fuqi të Golden State po rrezikojnë të jenë mes gjashtë më të mirëve pas humbjes që pësuan në fushën e Denver Nuggets.

Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit fituan 112-110, duke lënë pas dy humbjet e fundit dhe mbajtur kreun. Ishte një përballje e ekuilibruar deri në fundin e saj. Edhe pse pa Jokic, skuadra vendase arriti të fitojë falë 29 pikëve të Porter dhe 25 të Murray.

Po në këtë konferencë, erdhi fitorja e tretë radhazi për Los Angeles Lakers, që mundën 134-109 Houston Rockets jashtë fushe. Davis me 40 pikë ishte lider në parket për kalifornianët, ndërsa LeBron James realizoi një “triple double”, 18 pikë, 10 rebound dhe 11 asist.

Në Lindje, në krye të renditjes qëndron Milwaukee Bucks, që mundi 117-104 Philadelphian, dy ekipe rivale në NBA. Maxey me 29 pikë e Embiid me 28 nuk arritën t’i japin fitoren Philadelphia, ndërsa për Bucks u dallua i zakonshmi Antetokounmpo me 33 pikë e 14 rebound.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb