Politologu i njohur Ervis Iljazaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përgjimet e antimafies italiane, tha se duhen marrë shumë seriozisht.

Iljazaj theksoi se rreziku i infiltrimit të mafies në vendin tonë është shumë i madh. Ai shtoi se drejtësia e re duhet5 të veprojë në këtë rast, gjithmonë nëse ka indicie.

“Nga përgjimet, nuk mund të themi dot që ka infiltrim mafiozësh në Shqipëri, por mund të themi se rreziku është i madh. Rreziku i infiltrimit të mafies në Shqipëri është i madh. Alarmet po ngrihen ka kohë. Prokurorët italianë e kanë ngritur disa herë këtë çështje. Kjo çështje ka nevojë për përgjigje institucionale. Shqipëria ka nevojë për hetim financiar. Krimi është globalizuar është e vërtetë, por edhe hetimi është globalizuar. Drejtësia e re duhet që të krijojë reputacionin e saj.  Nëse ka rrezik duhen hetime, gjithmonë”, tha Iljazaj.

Ervis Iljazaj nënvizoi se në fushatë, opozita nuk ka shpalosur të gjithë potencialin e saj. Ai shtoi se po ashtu pret që në këtë fushatë, të ketë akuza personale shumë të forta.

“E rëndësishme është që në fushatë palët ndahen edhe në taksën. Kemi ofrimin e taksës progresive dhe asaj të sheshtë. Opozita është fokusuar tek zgjatimi i pushtetit të Ramës. Unë s’jam kundër një mandati të tretë, problemi është se çfarë do të bëjë kjo qeveri në mandat tjetër. Maxhoranca bën premtime, por duhet të bëjë bilancin. Opozita nuk ka shpalosur gjithë potencialin e saj. Opozita është vonë në organizim, në fushatë. unë besoj se taksa e sheshtë është më e mirë për shoqërinë shqiptare, bazuar në këtë realitet që kemi. Këto zgjedhje i fiton ose i humb opozita, është sfida e saj.  Si asnjëherë tjetër, në fushatë do kemi akuza të rënda personale”, u shpreh Iljazaj.

Në fund, Iljazaj deklaroi se shqiptarët do të votojnë këtë herë nëse duan kryeministër Edi Ramën apo Lulzim Bashën, pra do zgjedhin personin.

“Pandemia bën që njerëzit, të zhytur në probleme, ta fokusojnë problemin tek ai që qeveris. Këtë disavantazh e ka Rama. Pandemia bën që njerëzit të jenë nën një diktaturë të qeverisjes. Kjo sepse qeveria jep rregulla për Covid-19. Në këtë kuptim, pandemia i jep avantazhin Ramës. Shqiptarët do vendosin për individin, nëse duan Ramën kryeministër apo Bashën. Shqiptarët do zgjedhin mes dy emrave, gjykimi do jetë totalisht personal. Edhe të tjerat kanë rëndësi, programi, vizioni. Në gjykim të fundit, do zgjedhin Ramën ose Bashën për kryeministër. Listat janë të hapura me kusht, do krijojnë preferenca brenda partisë.”, përmbylli Iljazaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb