FRANCE – Ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar për zbardhjen e shkaqeve që çuan në rrëzimin e helikopterit të ushtrisë “EC 145”, i prodhuar nga kompania franceze “Eurocopter”.
Ambasadori Fitoussi tha se ekspertët francezë do të japin asistencë, por theksoi se dosja i takon prokurorisë shqiptare.

“Në lidhje me takimin që pata me ministren Kodheli, është një çështje që i takon prokuririsë së përgjithshme. Jemi të gatshëm të japim asistencë gjyqësore në lidhje me këtë dosje, por është një çështje që tashmë nuk më përket mua.”


Ndërkohë kompania “Eurocopter” që ka prodhuar helikopterin EC 145, me numër bordi 637, i cili u rrëzua në zonën e Malësisë së Madhe, ka ofruar asistencë dhe ndihmë në hetimin e ngjarjes.

NGJARJA
Helikopteri i Forcave të Armatosura u rrëzua pasditen e së mërkurës në ujërat e liqenit të Shkodrës gjatë një fluturimi rutinë stërvitor. Rënia e helikopterit EC 145, me numër bordi 637, në afërsi të fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe shkaktoi dy të vdekur dhe një të plagosur.

Si pasojë e ngjarjes tragjike humbën jetën kapiteni Florian Deliaj, 43 vjeç si dhe togeri Donald Hoxha, 28 vjeç. Ndërsa mbeti i plagosur ushtari profesionist, Gerald Baramuça, 23 vjeç.

Trupat e pajetë të dy ushtarakëve janë nxjerrë nga liqeni i Shkodrës afro dy orë pas ngjarjes nga palombarët e RENEA-s. I riu, i cili shpëtoi mrekullisht nga ngjarja kishte mundur të dilte vetë nga helikopteri dhe pasi kishte notuar për disa metra, ishte marrë me varkë nga një peshkatar. Ai u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, e më pas është transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb