TIRANE – Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kanë takuar këtë të hënë efektivë të bazës ajrore në Farkë, pjesë e të cilit ishin edhe dy pilotët që humbën jetën pak ditë më parë në liqenin e Shkodrës.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli tha se në bashkëpunim me prokurorinë, po bëhet maksimumi, që çështja të zbardhet, ndërsa bashkë me shefin e Shtabit, kërkuan nga efektivët të vijojnë punën, pasi misioni vazhdon.

Helikopteri EC-145 u rrëzua në rrethana ende të paqarta në liqenin e Shkodrës, mesditën e 6 prillit, ku për pasojë humbën jetën Floran Delia dhe Donald Hoxha, ndërsa mbeti i plagosur Gerald Baramuça.

Paraditen e djeshme pjesëtarë të Forcave të Armatosura, polumbarë të RENEA-s dhe Forcës Detare, bënë të mundur nxjerrjen e trupit të dëmtuar të helikopterit nga liqeni, ndërsa kutia e zezë e tij u gjet mesditën e së shtunës.

Ekspertë të kompanisë prodhuese “Eurocopter” si dhe ekspertë ushtarakë amerikanë të specializuar për këtë lloj helikopteri, të thirrur nga Ministria e Mbrojtjes, asistuan grupin hetimor të kryesuar nga prokuroria, për të nxjerrë kamerën regjistruese, e cila është vendosur në dispozicion të organit të akuzës.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: