Ëndrra e çdo nëne është të shohë sa më mirë fëmijën e saj, por jo gjithmonë fati është bujar. Ndonjëherë e nesërmja sjell sfida që të duhet forcë dhe burim i madh për ta përballuar. I tillë është rasti që u trajtua sot në emisionin “Me zemër të hapur” në Neës24 ku protagoniste ishte një 37-vjeçare.

Pas një martese 7-vjeçare e cila nuk funksionoi ajo i dha fund duke u bërë vetë nënë e vetë baba për djalin e saj. Që 7 vjeç dhe sot pas 1 dekade ajo sakrifikoi gjithçka për të birin. Në një banesë me qira, me pagesat në fasoneri dhe në punë sezonale ajo ka mundur t’i sigurojë kushtet minimale të jetesës djalit të saj. Sot 37-vjeçarja i ka bërë apel shtetit dhe babait të fëmijës së saj që t’i kthejnë sytë nga ajo. T’ia lehtësojnë sadopak barrën mbi supe por edhe ta mbushin me shpresë për një të ardhme më të mirë për të birin.

“Burrin e mora me shkuesi. Ma prezantoi tezja. Pas 2 muajsh e pashë që nuk bënte për mua, por familja nuk e pranoi”, tha ajo.
Nëna e saj tregoi se e ka parë ish-dhëndrin duke e dhunuar. “I kam rënë në qafë vajzës. Më tha, por mendova se gjërat do ndryshonin. Ia mora jetën vajzës. E kam parë të dehur që e dhunonte”, u shpreh nëna e 37-vjeçare.

Vetë ajo tregoi më tej se ish-bashkëshorti kishte sjellje jo normale.
“Nuk punonte. I thash nënës ta lë të ndahem. Nëna prapë ka këmbëngulur. Kam hequr unazën. Kishte sjellje jo normale. I flisja, por ai për çdo gjë e merrte lehtë thoshte e bën Zoti mirë. Më parë e mbanin motrat. Më pas familjen e kemi mbajtur me të ardhurat e mia që punoja në fabrikë. Lajmin që do bëhej baba e priti mirë. Unë shita unazat e gjithçka që të blija gjërat e nevojshme. Në spital lashë pasaportën. Deri 4 muaj e mbajta djalin vetë pastaj dola në punë”, tregoi gruaja.
Nëna e saj tha se njerëzit e dhëndrit e donin vajzën e saj, por sot nuk flasin.  “Njerëzit e atij e vlerësojnë vajzën. Thonë s’kemi pas vëlla për të martuar e kemi marrë në qafë vajzën. U ngutëm”, tregoi e ëma.

“Djali kur erdhi nga Greqia nuk fliste shqip. Ne jemi përpjekur shumë ta mësojmë. Në gjimnazin ku studion nipi një nga hallat punon pastruese dhe nuk i flet djalit. I kam thënë foli se e ke gjakun tënd, por, ato mbajnë distancë”, tregoi nëna e 37-vjeçares.

Më tej gruaja e re foli dhe për ndarjen. “Ika nga shtëpia në Greqi se u lodha. E prita 7 vite të ndryshonte. Kur ika djali ishte 7 vjeç. I thashë siguro një fije bukë për familjen ndryshe unë do të iki, por ai nuk më mori seriozisht. E prita 7 vjet që ai të bëhej për familje e të ndryshonte, por ai nuk ndryshoi. Kur u ndamë ai nisi jetën e tij përsëri dhe u martua”, tha nëna e re.

Ish-kunata foli në një lidhje telefonike tha se deklaratat nuk ishin të vërteta dhe se nuk kanë qenë dakord për ndarjen.
Drejtuesja e emisionit Evis Ahmeti duke ndërhyrë u shpreh se zonjat janë treguar shumë dinjitoze dhe nuk kanë treguar detaje. “Kam vlerësimin psikologjik ku thuhet se ai ka pasur lidhje jashtë martesore si edhe ka fjetur dhe me thikë poshtë kokës”, u shpreh Ahmeti.

“Të tregojë edhe ajo të sajat. Vëllai im nuk ka paguar se është pa punë. Ne e kemi pritur nusen 7 vjet të vinte sërish me vëllain. Donim të bashkohen e të jetojnë bashkë. Ne nuk kemi qenë dakord që ata të ndahen”, tha ish-kunata e 37-vjeçares.

Edhe ish-bashkëshorti i saj tha se ka qenë i papunë ndaj nuk e ka paguar detyrimin ushqimor duke e cilësuar gabim vajtjen e saj në emision.
“Kam qenë i papunë prandaj nuk e kam paguar detyrimin ushqimor. Ish- bashkëshortja bëri gabim që erdhi aty pa mua”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: