Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shprehur shqetësimin e tij për pasojat e emigracionit masiv, duke e lidhur këtë fenomen me shtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Në një deklaratë publike, Rubio u shpreh se emigracioni i pakontrolluar shpeshherë nuk është i motivuar nga shpresa për një jetë më të mirë, por nga rrjete kriminale që përfitojnë nga vuajtjet e njerëzve në nevojë.
“Ne duam të parandalojmë emigrimin masiv sepse ai i jep shtysë trafikimit të qenieve njerëzore. Në shumë raste, emigrimi masiv është trafikim i qenieve njerëzore. Nuk ka asgjë humanitare, asgjë të dhembshur në emigrimin masiv. Të vetmit njerëz që përfitojnë nga emigrimi masiv janë trafikantët” , deklaroi Rubio.
Deklarata e Sekretarit të Shtetit është shpërndarë edhe nga ambasada amerikane në Tiranë, duke i dhënë një peshë të veçantë këtij mesazhi për opinionin publik në Shqipëri.
Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në luftën kundër trafikimit dhe do të punojnë me partnerët ndërkombëtarë për të frenuar këtë fenomen.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur emigracioni mbetet një temë kyçe në politikën ndërkombëtare dhe një sfidë për shumë vende që përballen me eksodin e popullsisë drejt shteteve më të zhvilluara.
(BalkanWeb)