*Sipas këtij vendimi përfitojnë 7 kategori ushtarakësh që shërbejnë në forcën ajrore

TIRANE-Që nga janari i këtij viti, pilotët e Forcave të Armatosura përfitojnë 70-80 % rritje të pagës. Ky është vendimi i fundit që ka marrë qeveria shqiptare në mbledhjen e shkuar, i zbardhur se fundmi dhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes ka propozuar këtë vendim me qëllim përmirësimin e kushteve të trajtimit të tyre financiar, pasi ka vërejtur një disnivel krahasuar me kolegët e tyre, pilotët e Policisë së Shtetit dhe ata të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij vendimi përfitojnë 7 kategori ushtarakësh që shërbejnë në forcën ajrore, duke nisur që nga pilotët inxhinerët e fluturimit, mekanikët/teknikët e bordit, infermierët, inxhienerët, kontrollorët e trafikut, teknikët e avionëve dhe helikopterëve. Kjo rritje sipas kategorisë shkon deri në 30 dhe 40 mijë lekë të rinj.

Ky është një tjetër vendim që ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë lidhur me përmirësimin e trajtimit financiar të ushtarakëve.

Vetëm pak muaj më parë, qeveria miratoi një tjetër vendim për të kthyer trajtimin me ushqim të ushtarakëve, i cili u ishte hequr me një vendim të qeverisë Berisha në korrik të 2013-ës.

Vetë Ministrja e Mbrojtjes znj, Kodheli duke iu referuar këtij vendimi thotë “Ashtu siç kam thënë kur morëm vendimin e kthimit të trajtimit me ushqim të ushtarakëve, edhe pas këtij vendimi, unë dhe qeveria ime do të vijojmë të punojmë për të përmirësuar kushtet e trajtimit të ushtarakëve”.

VENDIMI I QEVERISE
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.839,

DATË 11.12.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT

E USHTARAKËVE AKTIVË TË FORCAVE TË ARMATOSURA

TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, pika 2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.59/2014, datë 12.6.2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.839, datë 11.12.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:

a) Lidhja nr.1, “Paga bazë sipas gradës dhe viteve të shërbimit për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura”, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b) Në lidhjen nr.2, “Masa e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura”, që përmendet në pikën 3, emërtesat “Pilotët e emëruar në pozicione organike që kërkojnë kryerjen e fluturimeve”; “Pilotët e emëruar në pozicione organike që nuk kërkojnë kryerjen e fluturimeve”; “Personeli mirëmbajtës inxhiniero teknik i aviacionit”; “Personeli fluturues teknik e mekanik.”; “Personeli ushtarak i qendrave të vëzhgimit ajror në Forcat Ajrore” shfuqizohen.

c) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3.1 Masa e shtesës për kushte të veçanta pune e shërbimi për ushtarakët aktivë fluturues të Forcave të Armatosura të jetë sipas lidhjes nr.2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i të këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2015 dhe fillojnë, përkatësisht:

a) nga data 1 janar 2015, për parashikimin e bërë në pikën 1, shkronja “a”,;

b) nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për parashikimin e bërë në pikën 1, shkronjat “b” dhe “c”.

3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
E D I R A M A

tabelateushtarakeve

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: