Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë të ditur sot vendimin e qeverisë për rritjen e pagave nga 1 korriku në sistemin parauniversitar.
Kushi tha se janë 36700 punonjës që do të përfitojnë nga rritja e pagave.

“Ndihem shumë e privilegjuar që të jap lajmin e mirë për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar. Në mbledhjen e qeverisë sot ne finalizuam angazhimin që kemi ndërmarrë që në fund të vitit të kaluar kur miratuam buxhetin. Angazhimi për rritjen me 6% të pagave të të gjithë punonjësve të sistemit arsimor parauniversitar. Janë 36700 punonjës që do të përfitojnë nga rritja e pagave nga 1 korriku. për herë të parë po rritet dhe paga e punonjësve psikosociale dhe e oficerëve të sigurisë.

Do të rritet paga e të gjithë mësuesve, të edukatoreve të kopshteve, të punonjësve të konvikteve, por edhe qendrave kulturore të fëmijëve në të gjitha bashkitë. Do të ketë rritje të orëve suplementare të mësuesve”, tha Kushi.

Nga miratimi i këtij vendimi përfitojnë rreth 30200 mësues, rreth 790 punonjës psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie, rreth 1300 punonjës të arsimit profesional në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe rreth 4410 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, në varësi të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ministrja nënvizoi se vlerësimi për mësuesit nuk bëhet vetëm nëpërmjet rritjes së pagës por vlerësimi i mësuesve me dinjitet me meritokraci është edhe nëpërmjet shumë reformave të tjera të ndërmarra duke filluar që nga Portali “Mësues për Shqipërinë”, kualifikimi trajnimi rritja profesionale dhe përmirësimi i kushteve të punës të reja në infrastrukturë, në pajisje laboratorike, etj.

Përveç sa më sipër, në këtë vendim përfshihet edhe rritja e vlerës së pagesës orare për orët që japin mësuesit mbi normën mësimore të miratuar me dispozitë, mesatarisht 10%.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb