Konfirmimi i dy rasteve të reja me COVID-19 e ka çuar në 108 numrin e personave të infektuar me këtë virus në Kosovë. Lajmi është bërë i ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Nga data 08.02.2020 deri me 31.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.175 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, gjithsej njëqind e tetë (108) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot në mëngjes përfundoi testimi i 24 pacientëve të dyshimtë nga Klinika Infektive, 2 prej të cilëve rezultuan pozitiv. Pacienti nga Gjakova është kontakt i dy familjarëve të rezultuar pozitiv dhe pacienti i dytë pozitiv nga Prizreni është infektuar jashtë shtetit”, -thuhet në njoftim.

IKSHPK ka njoftuar se do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe të testohen. Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.265 kontakte të rasteve.

Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Por, nëse nuk u përmbahemi masave të rekomanduara më herët nga MSh dhe IKSHPK për qëndrim në shtëpi, respektim të masave higjienike dhe të distancimit social, atëherë rrezikojmë të kemi përhapje komunitare.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: