Edhe sot shifrat e të infektuarve me Covid-19 kanë njohur rritje në bashkitë e qarkut të Beratit. Në bashkinë e Kuçovës janë konfirmuar “pozitiv” 3 punonjës të administratës, ndërkohë që edhe në gjimnazin e këtij qyteti 3 mësuese rezultojnë të infektuara me koronavirus.

Në qytetin e Skraparit një efektiv i policisë, një mësues dhe një shofer administrate rezultojnë të infektuar. Mes 12 rasteve të konfirmuara sot “pozitive” në Berat regjistrohen: mësues, edukatore, punonjës të OSHEE-së e zjarrëfikëses, avokat dhe ekonomist. Pas infektimeve të para dy ditëve brenda institucionit të OSHEE-së, sot edhe 2 punonjës të tjerë janë konfirmuar pozitivë. Edhe në Repartin Zjarrfikës në Berat është hapur një vatër e re infeksioni, ku një punonjës ka rezultuar “pozitiv”.

Të infektuara me koronavirus janë edhe një edukatore në kopshtin “Llambrini Kule” dhe një mësuese në fshatin Lumas. Mes të infektuarve të sotëm në Berat regjistrohen edhe një avokat dhe një ekonomiste. Burimet zyrtare pranë DSHP Berat konfirmojnë se janë kryer dezinfektimet e nevojshme dhe hetimet e rasteve të kontaktit, sipas protokolleve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtat burime konfirmojnë se pritet që nesër të mbërrijnë edhe përgjigjet e tamponëve të kryer në Gjykatën e Beratit, në Gjimnazin “Babë Dudë Karbunara” dhe në zyrat e OSHEE-së, ku vatrat e infeksionit janë përhapur shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: