NGA MARIGLEN MERTIRI*

TIRANË- Fëmijët përsëritës të veprave penale shënojnë rritje nga 2013 në 2014. Shifrat bëhen të ditura nga Organizata “Save the Children” në një raport-analizë të prezantuar në prani të autoriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe Policisë së Shtetit.

Raporti i prezantuar sot nga Anila Meço, drejtoreshë e “Save the Children” konstaton se periudha e kaluar nga dënimi i parë ishte 10 muaj dhe më shumë se gjysma e të miturve kontaktin e parë me shkeljen e ligjit e kanë nga mosha 11-12-vjeçare. Zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj pranoi se ka problem të shumta që nga administrimi i gjykimeve e deri të qëndrimet e pamerituara në komisariate e paraburgime.

Sipas raportit fëmijët që kanë shkelur ligjin janë shoqëruar me shokë që kanë kryer shkelje ligjore ndërsa problemet familjare dominojnë në shumicën e të rinjve të pyetur.

Raporti i “Save the Children” konstaton se përfshirja e fëmijëve në konfliktin me ligjin po njeh një trend në rritje. I hartuar gjatë dy viteve të fundit konstatohet se drejtësia në përgjithësi me burgosjen e të miturve nuk ka prodhuar riedukimin e tyre por ripërsëritjen e veprave penale. Sipas Meços, sistemi i drejtësisë ka dështuar me fëmijët. Problemet me vendimet e gjykatave për fëmijët i ka pranuar edhe zëvendësministri i Drejtësisë i cili kërkoi krijimin e një gjykate për të miturit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb