Pas rritjes së pagave që qeveria iu bëri artistëve të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, aktorët e Teatrit Kombëtar janë bërë bashkë dhe i kanë dërguar një letër kërkesë Kryeministrit të vendit Edi Rama dhe Ministres së Kulturës Elva Margariti, ku i kërkojnë po ashtu rritjen e pagave.

“Ne si aktorë e si trupë artistike e Teatrit Kombëtar e ndjejmë vetën të diskriminuar ose jo të baras vlerësuar me një teatër tjetër kombëtar që është Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit”, deklaron Naun Shundi.

“Ne jemi entitete artistike e kulturore që kemi të njëjtën status, kombëtar edhe ne. Dhe këtu kryeministri bën një diskriminim shumë të madh dhe bëhet një diskriminim mes një institucioni dhe të tjerëve”, thotë Neritan Liçaj.

Ndërsa shprehin gëzim që pagat iu rritën kolegëve të tyre në masën nga 15 në 57%, aktorët e Trupës së Teatrit Kombëtar që kanë firmosur kërkesën, thonë se për përjashtimin e tyre nga një vlerësim i tillë ende nuk ka një shpjegim publik. Ndërsa shpalosin veprimtarinë e tyre artistike, ata kërkojnë të njëjtën gjë

“Nëse iu rrit paga dhe shpërblimi atyre në Opera, duhet në na rritet edhe ne në ato standarde. Beteja jonë do të jetë përmes institucioneve. Pjesa më e madhe e artistëve ka firmosur sepse aty preket e drejtat njerëzore, dinjiteti artistik e njerëzor”, u shpreh aktori Neritan Liçaj.

“Ne kërkojmë njësimin e pagave me Teatrin e Operas, është e drejta jonë moral. Është kërkesë ekonomike, çfarë kemi ne që nuk na u rritën”, thotë Naun Shundi.

Ata presin që në buxhetin e ri të shtetit të parashikohet edhe rritja e pagave të tyre. Por ndërsa raporti 20-vjeçar i artistëve të Teatrit Kombëtar ka qenë problematik me Kryeministrin, Shundi megjithatë ka besim se aktorët në këtë rast nuk do të përçahen ndonëse ka disa keqardhje.

“Besoj se kjo nismë që ka të bëjë me kërkesa financiare, që të tërë janë dakord. Por më vjen keq ta them që ky lloj kolektivi artistik i ka shërbyer atij dhe elementë të caktuar duke u vënë në shërbim të qeverisë, për përfitime personale, kanë bërë që reputacioni të humbasë vlerat”, thotë ai.

Nga Ndriçim Xhepa te Arben Derhemi, Armando Bora, Zifla, Bisha e më të rinjtë, artistët janë mbledhur pak ditë më parë, ndërsa shkresa i është çuar qeverisë me postë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb