NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Niveli i borxhit publik në 72.2% të PBB-së për vitin 2015 ka ardhur si pasojë e inflacionit të ulët poshtë objektivit 3 %  të bankës së Shqipërisë. Megjithatë për ekspertin e financave, Arjan Kadareja kjo ishte një rritje e parashikuar e borxhit.

“Mendoj që ishte parashikuar që borxhi do vazhdonte të rritej ndonëse me rritje te ulëta sipas shifrave paraprake deficiti ka qenë i përmbajtur ndërkohë rritja ekonomike reale në 3 tremujorët e parë të 2015 ka qenë e mirë nuk ka dal ende tremujori i fundit. Një anë problematike ka qenë inflacioni i ulët, rritja e ulët e çmimeve kjo ka sjellë që borxhi në raport me GDP të kaloj në nivelin 72.2 %”, shpjegon Kadareja.

Gjithsesi eksperti argumenton edhe zhvillimet pozitive në drejtim të borxhit.

“Një zhvillim tjetër pozitiv në drejtim të borxhit është mesatarja e maturimit të borxhit të qeverisë është rritur, që do të thotë është marrë borxh me maturim më të gjatë dhe kjo sjell lehtësira në menaxhimin e borxhit. Një zhvillim tjetër është rritur pjesa e borxhit në euro dhe është ulur në lek kjo sjell ekspozimin e borxhit ndaj kursit të këmbimit dhe ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare”, thotë ai.

Sipas Arjan Kadaresë rritja nominale ekonomike nuk është ajo e parashikuara gjë që ka sjellë një rritje të raportit borxh/GDP edhe pse deficiti buxhetor ka qenë i kontrolluar. Përsa i përket treguesve fiskalë të muajit janar ku ka një përmirësim në mbledhjen e të ardhurave kryesisht nga TVSH-ja dhe akciza, Kadareja shprehet skeptikë mbi zërat e tjerë të të ardhurave të parealizuara.

“Pra për mendimin tim rritja e TVSH-së dhe akcizës sidomos janë lajme pozitive të mira por duhen marrë në rezervë rritjet e tjera. Do të thosha që në tatimin mbi të ardhurat personale është diçka pozitive ndërsa tatimi mbi fitimin duhet marrë me rezervë sepse ka pasur parregullsi në janarin e 2015”, shprehet Kadareja.

Ndonëse janë pozitive të dhënat e treguesve fiskalë për muajin janar 2016 për ekspertin e financave është ende herët për të përcaktuar trendin e tyre përgjatë gjithë vitit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb