Besimi i konsumatorëve dhe i biznesit në ekonomi ka pësuar rënie për të tretin muaj radhazi në mars. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike ra më tej me dy pikë përqindje. Ndikimin kryesor në përkeqësimin e besimit e dha rritja e çmimeve dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre në të ardhmen.

Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit konsumator dhe i besimit të bizneseve në sektorin e tregtisë, por ajo u kufizua pjesërisht nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit.

Të gjithë sektorët e biznesit raportuan se presin rritje të çmimeve të tyre të shitjes në të ardhmen e afërt. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi I besimit konsumatorë shënoi rënie prej 6.7 pikë përqindje.

Kjo rënie ka bërë që ky tregues të arrijë nivelin e dytë më të ulët historik pas minimumit që shënoi në fillimet e pandemisë. Ajo u ndikua sidomos nga pritjet për situatën ekonomike dhe situatën financiare. Situata inflacioniste ka bërë që pritjet e konsumatorëve për çmimet e konsumit në të ardhmen të shënojnë rritje.

Edhe treguesi i besimit në tregti ra me 1.5 pikë përqindje. Treguesi i ndjesisë ekonomike përmbledh perceptimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen e tyre aktuale si dhe pritshmërinë për të ardhmen. Si i tille ai është një nga indikatorët udhëheqës më të rëndësishëm që projekton ecurinë e ekonomisë në avancë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb