Të dhënat e ekonomisë tregojnë që konsumi nuk ka rënë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve.

Ministrja e Financave e pranon në emisionin “Pa censurë” së kjo të çon në përfundimin se jashtë bankave ka shumë para të padeklaruara. “Mendohet që ekonomia informale të jetë jo më shumë 30 %, megjithatë janë shifra të studimeve të veçanta dhe nuk ka një shifër zyrtare për informalitetin në ekonomi.”- thotë  Ibrahimaj, e cila vendos thekin tek amnistia fiskale për të cilën qeveria po punon për një variant që t’i vlejë ekonomisë.

“Po marrim në konsideratë të gjithë rekomandimet, duke kuptuar se cilat janë rekomandimet që mund të pranohen dhe cilat jo. Kemi si objektiv kryesor një amnisti fiskale të suksesshme, pasi nëse do të merren në konsideratë të gjitha rekomandimet e mundshme, do të kemi si rezultat një amnisti fiskale siç ka ndodhur në Moldavi apo vende të tjera, ku inputet e formalizuara nga amnistia ishin fare të vogla dhe nuk kishte vlerë të ndërmerrej një nismë e tillë ligjore kaq e rëndësishme.”- tha Ministrja e Financave”

PJESË NGA INTERVISTA

Elona Meço: Zonja Ministre, shqetësimi kryesor është rritja e përditshme  e çmimeve. A ka ndikuar inflacioni tek fuqia blerëse e njerëzve?

Delina Ibrahimaj: Deri në 6 mujorin e parë të vitit ne kemi patur një konsum në rritje. Jam e bindur se edhe në tremujorin e tretë, konsumi ka qenë me rritje, pasi është ndikuar nga seoni tursitik. Ndërkohë që deri tani kemi patur një ecuri jo në rënie të konsumit. Duhet parë sesi do të jenë nëntori, dhjetori dhe janari, që mund të ketë një ngadalësim të konsumit. Duhet parë edhe ana tjetër, që është ajo e depozitivae. Gjatë tre viteve të fundit depozitat për individët kanë ardhur në rritje.

Elona Meço: Si e shpjegoni rritjen e konsumit, kur ka rritje çmimesh? Ka të bëjë kjo me paranë që është jashtë bankave? Keni monitorim për këtë, sa para ndodhen jashtë bankave?

Delina Ibrahimaj: Banka e Shqipërisë nxjerr një nivel të lekut jashtë bankave. Është shifër zyrtare. Nuk e kam muajt e fundit, pasi është shifër konstante. Sigurisht që ekonomia shqiptare ka një nivel informaliteti që është akumuluar në 30 vjet  dhe kjo është arsyeja pse kemi propozuar amnistinë fiskale, që paraja jashtë bankave, paraja informale të formalizohet dhe ta fusim në ekonomi, veçanërisht në një moment të tillë kur ka një ngadalësim të ekonomisë, parashikohet ngadalësim i konsumit në të ardhme dhe më shumë se kurrë ekonomia ka nevojë për stimuj dhe injektim të stimujve.

Elona Meço: Sa përqind e ekonomisë mund të jetë informale?

Delina Ibrahimaj: Ka disa mendime. Sektorë të ndryshëm ka përqindje të ndryshëm të informalitetit. Mendohet që ekonomia informale të jetë jo më shumë 30 %, megjithatë janë shifra të studimeve të veçanta dhe nuk ka një shifër zyrtare për informalitetin në ekonomi.

Elona Meço: Nuk po dëgjojmë këto kohë për amnistinë fiskale që e përmendët. Ka hequr dorë qeveria apo keni bërë një draft të ri, sepse dimë që BE dhe partnerët e kundërshtojnë draftin tuaj të mëparshëm.

Delina Ibrahimaj: Ne kemi patur disa komunikime me BE dhe jo vetëm, me ekipe ekspertësh që janë kujdesur të na japin rekomandimet e tyre për draftin e amnistisë fiskale dhe penale. Jemi duke reflektuar mendimet e tyre, po marrim në konsideratë të gjithë rekomandimet, duke kuptuar se cilat janë rekomandimet që mund të pranohen dhe cilat jo, duke patur si objektiv kryesor që të kemi një amnisti fiskale të suksesshme, pasi nëse do të merret në konsideratë të gjitha rekomandimet e mundshme do të kemi si rezultat një amnisti fiskale siç ka ndodhur në Moldavi apo vende të tjera, ku inputet e formalizuara nga amnistia ishin fare të vogla dhe nuk kishte vlerë të ndërmerrej një nismë e tillë ligjore kaq e rëndësishme. Pra jemi duke konsideruar të gjithë elementët me qëllim që të dalim me një draft sa më të konsoliduar dhe të pranuar nga grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare. Pra po punojmë, nuk është hequr dorë.

Elona Meço: Po nga pasaportat e arta?

Delina Ibrahimaj: Dhe pasaportat e arta janë në proces, por nuk ndjek Ministria e Financave dhe e Ekonomisë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: