TIRANË

Partia Demokratike deklaron se ka bërë propozime për situatën ekonomike dhe rritjen e çmimeve që në shtator 2021, por këto propozime nuk janë marrë parasysh nga maxhoranca.

Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu shprehet se kërkesa e PD për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për situatën ekonomike nuk është pranuar pasi nuk është dorëzuar në kohë.

“Si sekretar i grupit parlamentar të PD jam këtu për të përcjellë shqetësimin. Si grup parlamentar kemi kërkuar në interpelancë kryeministrin Rama lidhur me situatën ekonomike të vendit tonë. Prej javësh ka një rritje të theksuar të çmimeve, e cila është shoqëruar dhe me protesta të shoqërisë civile. PD ka parashikuar që më shtator 2021 situatën e rritjes së çmimeve, ka bërë disa propozime konkrete në atë kohë, duke filluar nga reduktimi i TVSH-së për disa produkte të shportës, apo ulja e barrës fiskale për disa produkte të tjera, por këto propozime nuk u morën parasysh. Sot përballemi dhe me abuzimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë. Qeveria ka propozuar disa masa, për të cilat ne nuk jemi dakord. Një pjesë kanë qenë të planifikuara në buxhet, pjesa tjetër fasadë. Në këtë kontekst PD ka thirrur në interpelancë km, sot i kërkova grupit parlamentar të PS të ndryshonim rendin e ditës, dhe të kishim interpelancë me kryeministrin, nuk është pranuar sepse duhej deri në orën 16:00 të ditës së hënë, por dita e hënë ka qenë ditë pushimi, por çështjet ekonomike nuk kanë pushim. Janë jo vetëm të vonuara”, tha Agalliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb