ITALI

Qeveria ul akcizën për benzinën dhe naftën me 15 cent.  Janë këto masat e reja që po ndërrmerr qeveria italiane, me qëllim përballimin e faturave të larta nga banorët e saj si edhe për të zbutur ecurinë e cmimeve të karburantit dhe energjisë.

Këto janë dy masat kryesore të dekretit që Këshilli i Ministrave po përgatit pas mbledhjeve të zhvilluara, në nivel teknik dhe politik, ditët e fundit. Dekreti i qeverisë pason rritjen e menjëhershme të çmimeve të energjisë shkaktuar si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.

Ndërhyrja e planifikuar është ajo e ilustruar dje nga ministri i Tranzicionit Ekologjik, Roberto Cingolani, gjatë raportimit në Senat për situatën energjetike pas shpërthimit të luftës.

“Duke qenë se ka pasur të ardhura më të larta nga TVSH-ja”, si pasojë e rritjes së papritur të çmimeve, mund të përdoret për të “ulur akcizën dhe rrjedhimisht çmimin përfundimtar” të benzinës dhe naftës, pa pasur rënie të të ardhurave të planifikuara vjetore.” tha ai.

Zgjidhja e akcizës e ilustruar nga Cingolani, duhet të ndihmojë në uljen e çmimit të karburantit në pompë me 10-15 cent për litër. Vendimin e marrë nga qeveria e konfirmon edhe zv.ministrja e Ekonomisë, Laura Castelli.

“Është një hipotezë konkrete për uljen e akcizës për karburantet dhe karburantet për përdorim civil. Ky është një operacion i jashtëzakonshëm, i cili i referohet një mekanizmi të parashikuar për krizën e vitit 2007, i dobishëm për frenimin e ndikimit të rritjes së kostos së karburanteve te konsumatorët fundorë.

Në thelb, rritja e të ardhurave nga TVSH për shkak të rritjes së bazës tatimore do të përdorej për të ulur akcizën përkatëse dhe për rrjedhojë do të kishte ulje të çmimit përfundimtar”.

Sipas ministrit të Punës, Andrea Orlando, po studiohen edhe ndërhyrje të mëtejshme, si përdorimi i sigurimeve shoqërore “në zonat më të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë”. Zëvendësministrja e Transporteve, Teresa Bellanova, pas takimit në Palazzo Chigi me nënsekretarin Roberto Garofoli dhe ministrin e Transporteve, Enrico Giovannini, tha se synon një rregullore ad hoc me masa kushtuar operatorëve të transportit rrugor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: