Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka reaguar sot me një status për rritjen e çmimeve të ushqimeve pas publikimit të të dhënave nga INSTAT të indeksit të çmimeve për muajin korrik. Sipas tij, kjo që po ndodh në Shqipëri është kriminale sepse në bursë prej më shumë se dy muaj çmimet kanë pësuar një rënie të lehtë duke përfshirë karburantet dhe produktet e shportës.

Sula inkurajon Prokurorinë, Policinë e shtetit (sektorin e Krimit Ekonomik) që të jenë vigjilent e të mos lejojnë grosistët e mbështetur nga pushtetarët në qeveri e Parlament që t’i pinë gjakun qytetarëve.

Ai thekson më tej se kjo mazhorancë e ka bërë “baltë”, e ka kaluar cakun ndaj qytetarët duhet të ngrihen e t’ia tregojnë se nuk mund të shkelen me këmbë nga një qeveri arrogante. “Të gjithë duhet të dalin në protestë, jo për liderët e partive por kundër qeverisë dhe kundër arrogancës së Kryeministrit që dëgjon vetëm thirrjet e oligarkëve për më shumë para pa derdhur djersë”, shkruan Sula.

POSTIMI I PLOTË
🔴Çmimet e ushqimeve bazë nuk ndalen, vazhdon rritja.
Rritja e çmimeve të ushqimeve bazë nuk ndalet. Instituti i Statistikave ka publikuar sot indeksin çmimeve për muajin Korrik të këtij viti ku vërehet një trend rritës i produkteve bazë. Kjo do të thotë se qytetarët përballen çdo ditë dhe duhet të shtojnë lekë më shumë për të blerë të njëjtën sasi buke, veze, vaji, djathi etj. 7.5 % më shtrenjtë kanë blerë qytetarët gjate korrikut krahasuar me një vit më parë. Por rritje nuk ka vetëm në krahasim me një vit më parë, shqetësim ngelet se çmimet rriten edhe krahasuar me muajin paraardhës.

Kjo që po ndodh në Shqipëri është kriminale sepse në bursë prej më shumë se dy muaj çmimet kanë pësuar një rënie të lehtë duke përfshirë karburantet dhe produktet e shportës. Por këtu nuk kemi të bëjmë me ulje, por rritje të vazhdueshme. Unë inkurajoj Prokurorinë, Policinë e shtetit (sektorin e Krimit Ekonomik) që të jenë vigjilent e të mos lejojnë grosistët e mbështetur nga pushtetarët në qeveri e Parlament që t’i pinë gjakun qytetarëve.

Ndërkohë ka një mospërfillje totale nga ana e “Sulltanit” i cili ka marrë pushimet e gjata dhe as që e vendos ujin në zjarr për qytetarët. Prej shumë muajsh çdo statistikë tregon se xhepat e qytetarëve janë boshatisur e pos shkojnë në zgrip. Unë, ne deputetët dhe mediat i kanë dhënë zë shqetësimeve të tyre por, “Sulltani” i ka jashtë radarit qytetarët sepse ai kujdeset për oligarkët që t’u jap tendera korruptivë, të ndaj paratë me ta dhe më pas me akt normativë tu japë edhe më shumë para. Ndërkohë për qytetarët nuk heq taksën e qarkullimit te nafta. Nuk e bën TVSH 6% për ushqimet e shportës. Nuk subvencionon materialet bujqësore që të nxisë prodhimin vendas. Për hallexhinjtë, kryeministri është 2 metër i gjatë dhe nuk arrin t’i dëgjojë hallet e tyre.

Është faji i Ramës që qytetarët shpenzojnë vetëm për të blerë bukë dhe s’kanë para për produkte të tjera. Është faji i kreut të qeverisë dhe politikave të tija shpopulluese që 4 në 10 emigrantë të jashtëligjshëm që hynë në Angli, janë shqiptarë.

Kjo mazhorancë e ka bërë “baltë”, e ka kaluar cakun ndaj qytetarët duhet të ngrihen e t’ia tregojnë se nuk mund të shkelen me këmbë nga një qeveri arrogante. Të gjithë duhet të dalin në protestë, jo për liderët e partive por kundër qeverisë dhe kundër arrogancës së Kryeministrit që dëgjon vetëm thirrjet e oligarkëve për më shumë para pa derdhur djersë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb