TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në facebook, lidhur me rritjen e çmimit të naftës, benzinës e gazit në vend.
Meta shkruan se ekonomia nuk mund t’u lihet në dorë aventurierëve, që po varfërojnë shqiptarët dhe po falimentojnë Shqipërinë!
“Çmimet në Shqipëri i vendosin oligarkët dhe jo tregu!”- përfundon Meta reagimin e tij.
Postimi i plotë:
Ekonomia nuk mund t’u lihet në dorë aventurierëve, që po varfërojnë shqiptarët dhe po falimentojnë shqipërinë!
Me nivelin më të ulët të pagës minimale krahasuar me vendet e rajonit, rritja e çmimeve në Shqipëri nuk ka të ndalur.
Sipas të dhënave të EUROSTAT aktualisht, paga minimale në shkallë vendi është:
📌 Në Shqipëri🇦🇱 248.4 Euro
📌 Në Maqedoninë e Veriut🇲🇰 366.1 Euro
📌 Në Serbi🇷🇸 401.4 Euro
📌 Në Malin e Zi🇲🇪 532.5 Euro.
Ndërkohë nga fillimi i shkurtit 2022, çmimet e karburanteve në Shqipëri u rritën sërish me gati 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër.
Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare, përveç karburanteve, pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë.
📌 Çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.5%
📌 Shërbimet e transportit janë rritur me 6.9%
📌 Shpenzimet familjare për shëndetësinë janë rritur me 28%.
Çmimet në Shqipëri i vendosin oligarkët dhe jo tregu!
(BalkanWeb)