Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, e ka quajtur rritjen e çmimit të patentave si babëzi e shfrenuar e qeverisë Rilindase.

Në fjalën e saj nga selia e PL, Caka tha se në një kohë që transporti publik nuk u ofron asgjë qytetarëve, automjeti privat është e vetmja zgjidhje për qytetarët që të plotësojnë nevojat e jetesës.

Partia e Lirisë i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë këto veprime korruptive, që bien në kurrizin e mijëra qytetarëve dhe të çojë përgjegjësit përpara drejtësisë.

Deklarata e plotë:
Babëzia e shfrenuar e qeverisjes Rilindase, dyfishon çmimin e patentave, pa asnjë arsye tjetër veç hajdutërisë.
Qindra qytetarë, të cilët kanë nevojë të pajisen me patenta për drejtimin e automjeteve, që u shërbejnë atyre si një mundësi për të shkuar në punë e për të përmbushur detyrimet ndaj familjes, u është rritur në mënyrë skandaloze çmimi i patentave, i cili nga 400 mijë lekë të vjetra, dyfishohet e shkon në 850 mijë lekë të vjetra.

Në situatën shumë të rëndë të transportit publik, i cili paraqet një nivel primitiv, si një shërbim që nuk u ofron asgjë qytetarëve, automjetet private janë mundësia e vetme për mijëra qytetarë të Tiranës e gjithë Shqipërisë, që të plotësojnë nevojat e jetesës së tyre.
Babëzia korruptive nuk kurseu as këtë mundësi, e cila po përballohet nga vetë qytetarët e në vend që shteti t’ua lehtësonte barrën, përkundrazi, u dyfishon çmimet.
Qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që përballen çdo ditë të jetës së tyre me trafikun shumë të rënduar, që u humbet orë të tëra e që i detyron të konsumojnë shumë më tepër karburant për makinat e tyre, me çmimin më të lartë në Ballkan, tashmë u shtohet edhe një tjetër barrë financiare, për t’u pajisur me patenta drejtimi automjetesh.
Qytetarët që përballen për shkak të pazarit Qeveri-Oligarkë me rritjen e çmimit të të gjitha produkteve bazë dhe që nuk u jepet asnjë ndihmë nga shteti, detyrohen tani të paguajnë korrupsionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Qytetarët të cilët përballen me mijëra e mijëra gjoba të xhandarëve të një bashkie që nuk ofron asnjë lehtësi për parkimet apo zgjerimit të rrugëve, përballen tanimë edhe me një faturë tjetër korruptive.
Qeveria dhe bashkitë janë të vendosura sëbashku kundër qytetarëve dhe në funksion vetëm të korrupsionit dhe interesave të klientëve të tyre, miq të Qeverisë.
I bëjmë thirrje Qeverisë të heqë dorë menjëherë nga kjo rritje skandaloze dhe korruptive dhe në vend që të mendojë se si t’ua rëndojë më shumë jetën qytetarëve, të marrë masa për lehtësimin e tyre.
I bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë menjëherë mbi këto veprime korruptive, që bien në kurrizin e mijëra qytetarëve dhe të çojë përgjegjësit përpara drejtësisë.
14 Maji është dita kur qytetarët do t’i kthejnë bashkitë në shërbimin e tyre, duke larguar grabitqarët e Rilindjes nga drejtimi i papërgjegjshëm i bashkive.
14 Maji do të jetë dita kur më së fundmi qytetarët do të marrin frymë dhe do të çlirohen nga abuzuesit dhe të korruptuarit e Rilindjes, të cilët grabisin djersën dhe mundin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb