Pasi u vjedh për 10 vite taksat, pronat publike dhe çdo aset me vlere.
Pasi dekurajon punën dhe kriminalizon ekonominë, duke futur në tregun financiar miliarda para droge, Edi Rama deklaron se do të rrisë pagat dhe pensionet pas 10 vitesh në pushtet.
Po kush e ka penguar Qeverinë per 10 vite të indeksonte të paktën në vleren e inflacionit?
Pas 10 vitesh papërgjegjshmëri me shpenzimet publike, vjen një deklaratë e tillë, e cila nuk po merret në analizë për shkak të konfliktit politik që ka zënë çdo hapësirë debati.
Ku i merr paratë Qeveria e zhytur në borxhe për këtë veprim?
Skema e kontributeve nuk ka pësuar ndonjë bum që të përkthehet në rritje pensionesh.
As ekonomia jonë nuk është një ekonomi në rritje të shpejtë ritmike, që të lejojë një veprim të tillë financiar.
Atëherë, nga merren paratë për këtë rritje?
Përgjigjja është e thjeshtë fare. Nga ne.
Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit ka prodhuar një rritje të të ardhurave të buxhetit.
Eksperimenti me bordin komunist të çmimeve ka stimuluar Qeverinë, qe edhe pas mbylljes de juro të bordit, të lejojë oligopolinë e çmimeve të shportës.
Nafta, Orozo, Vaji, Mielli dhe shumë produkte të konsumit tonë të përditshëm janë shitur me shtrenjtë se rajoni, duke rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat e buxhetit.
Pra, rritja e pagave është e bazuar te konsumi dhe balanca midis tyre është çelësi i kësaj rritjeje.
Kjo do të thotë se, sa më shumë të rritet paga, aq më shumë do të rriten çmimet, që të mund të balancojnë njera-tjetrën.
Pra, nëse 1kg djathë është blerë me 800-1000 lekë kg para bordit të çmimeve, ajo u shit me 1200-1400 lekë/kg pas tij dhe ky çmim vazhdon edhe sot.
Pas rritjes së pagave dhe pensioneve ky çmim mund të shkojë nga 1600-1800 lekë/kg.
Këtë ritëm do të ndjekin mishi, nafta, vaji, mielli dhe të gjitha çmimet e shportës së shqiptarëve.
Logjika e rritjes, kur nuk bazohet në rritjen reale të ekonomisë, është një mashtrim i madh, i cili sjell më shumë dhimbje dhe rreziqe për ekonominë.
Qeveria, e cila harxhon para për fasada, udhëtime me charter, evente dhe PPP korruptive, nuk di se si rriten pagat dhe pensionet.
Asnjë plan real për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit tonë nuk ka në buxhetin e ri që po shitet si “ungjilli i rimëkëmbjes ekonomike”.
Sot, ekonomia jonë lëngon nga mungesa e strategjive që qeveria duhet të ketë për zhvillimin e saj.
Asnjë lehtësirë reale për një treg me rregulla, asnjë politikë fiskale për biznesin dhe asnjë mbështetje për fushat prioritare, si turizmi dhe bujqësia.
Asnjë investim real në energji apo plan konkret për të rritur prodhimin vendas në sektore të caktuara të ekonomisë.
Këto do të kishin impakt në uljen e çmimeve, rritjen e ekonomisë dhe mundësi reale për rritje pagash dhe pensionesh.
Skema e rritjes pa plan të pagave është bazuar mbi supet e konsumit të mallrave të shportës, dhe si e tillë, do të jetë një barrë për familjet shqiptare.
Ajo do të nxisë tkurrjen e konsumit dhe për pasojë do t detyrojë Qeverinë te aplikojë arnime të vazhdueshme në buxhet për të mbuluar ato.
Kjo skemë është një projekt 3D i Qeverisë, e cila nuk bazohet në realitetin ekonomik, por në propagandën e Qeverisë Rama.
Ekonomia nuk bëhet me zhgarravitje mbi shkresat zyrtare dhe nuk funskionon me deklarata.
Kjo qeveri e ka humbur besimin e qytetarëve prej vitesh dhe nuk prodhon dot rimëkëmbje ekonomike pas demit madhor qe i ka bërë asaj.
Qeveria Rama është në ditët e saj të fundit dhe nuk duhet marrë seriozisht në premtimet që bën!
Deklaratat e Ramës në foltoret socialiste duhen kuptuar si premtime elektorale dhe jo si plane reale qeverisëse.
Rama ka nisur fushatën elektorale si e vetmja mënyre që ka për të prodhuar politkë në këto ditë të vështira, ku laku i llogaridhënies për aferat korruptive po zvogëlohet.
Mos e merrni seriozisht Ramën!
Ai është në hall të madh dhe është gati të premtojë edhe më shumë se kaq për të mbijetuar.
Në thelb, ai mbetet arroganti i zakonshëm që ka qeverisur pa ligj, me dhunë dhe poshtërsisht për këto 10 vite.
Një epokë e re duhet të fillojë në vendin tonë!
Shqipëria duhet të emetojë besim në qeverisje që të përthithë investime të huaja dhe të fitojë standarde europiane.
Kjo nuk vjen dot kurrë me stilin e vjetër të politkës në tranzicion.
Na duhen njerëz të rinj, të pa korruptuar dhe me orientim Euro-Atlantik, të cilët e duan vendin e tyre.
Një frymë e rë në politikën shqiptare, e cila të ketë besimin për të mbyllur një here e përgjithmonë pusetën e tranzicionit të stërzgjatur të politikës hileqare dhe të papërgjegjshme, që ka renduar shqiptarin e zakonshëm këto 30 vite.

Lisander Hoxha

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: