Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se rritja e pagave për punonjësit e arsimit dhe të shëndetësisë do të hyjë në fuqi në vitin 2021. Sipas saj, rritja e pagave me 40% për punonjësit e sistemit shëndetësor dhe 15% për ata në arsim do të ketë një kosto prej 8 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.

“Qeveria miraton këtë javë rritje pagash për punonjësit në arsim dhe shëndetësi. Në shëndetësi përfitojnë mbi 18 mijë punonjës. Kjo ka një kosto në buxhetin e shtetit, ku llogaritet në 8 miliardë lekë. Rritja e pagave do të hyjë në fuqi më 2021”, tha Denaj.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se aktualisht bëhet fjalë vetëm për pagën neto, pasi në vijim sipas tij, do të shihen në detaje edhe një sërë elementësh të tjerë.

“Këtu bëhet fjalë për pagën neto, ndërkohë që janë një sërë elementësh të tjerë financiarë, që kanë të bëjë me pagat për orët ekstra, për bonusin, për mësuesit që shërbejnë jashtë qendrave të banimit. Këto elementë do t’i detajojnë në vijim”, theksoi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb