Situata epidemiologjike në Kosovë vazhdon të jetë kritike, pasi që javëve të fundit ka pasur rritje të madhe të rasteve të reja të infektimit me koronavirus. Ditën e djeshme u konfirmuan 771 raste të reja, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 4 mijë e 489.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar kur edhe filloi dhënia e dozës së tretë dhe asaj përforcuese të vaksinës kundër COVID-19, e deri më sot, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, 33 mijë e 414 qytetarë kanë marrë dozën përforcuese kurse 2 mijë e 165 qytetarë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë.
Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

MSh-ja kishte njoftuar se dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb