Në 24 orët e fundit në Kosovë, Policia ka dënuar 707 qytetarë të cilët nuk kanë respektuar ligjin COVID-19.

Gjithashtu, Policia bën të ditur se në 24 orët e fundit kanë vendosur 1405 gjoba trafiku për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.

Në Kosovë javëve të fundit ka pasur rritje të rasteve me koronvirus, ku të martën u konfirmuan 1 mijë e 765 raste. Për shkak të rritjes së rasteve, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar masa të reja kundër COVID-19, të cilat dalin për miratim në mbledhjen që pritet ta mbajë Qeveria sot.

Ndër masat e propozuara është shkurtimi i orarit të punës për sektorin e gastronomisë si dhe disa kufizime sa i përket organizimit të dasmave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ditën e martë ka zhvilluar një takim me krerët e institucioneve shëndetësore dhe hisedarët në zbatimin e masave kundër COVID-19, ku është diskutuar mbi gjendjen e krijuar.

“Arsyeja pse masat kufizuese do të ndërmerren e zbatohen në këta sektorë, është se shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe nga mosrespektimi i masave në fuqi”, ka deklaruar Vitia.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 601.701 doza të vaksinës. Deri më sot 213.279 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: