Pulmologët paralajmërojnë për mbingarkim të sistemit shëndetësor në Kosovë, pas prezencës së variantit Omicron dhe rritjes së numrit të rasteve pozitive. Respektimi i masave dhe vaksinimi, edhe me dozën e tretë të vaksinës, sipas tyre, do të ofrojë mbrojtje të mjaftueshme.

Pulmologu Flamur Marku thotë se rastet e shtuara me Omicron mund të rëndojnë sistemin shëndetësor në vend.

“Kemi arritur ta kuptojmë se Omicron ka shkallë të lartë të infeksiozitetit. Tashmë kur në vendin tonë janë identifikuar rastet e para, duhet të kemi shumë kujdes në respektimin e masave dhe të ketë një rigorozitet nga ana e institucioneve. Pritet të ketë një numër më të madh të pacientëve që do të mbingarkojnë sistemin tonë shëndetësorë”, tha ai në RTV Dukagjini.

Marku thotë se krahas respektimit të masave anti-COVID, nevojitet edhe marrja e dozës përforcuese të vaksinës për t’u mbrojtur nga infeksioni.

Nga QKUK njoftojnë se aktualisht janë 29 pacientë të hospitalizuar si pasojë e infektimit me coronavirus.

“Nga këta pacientë pesë janë të konfirmuar me COVID-19, derisa 25 të tjerë kanë pasoja post COVID. Me oksigjenoterapi janë tetë pacientë, derisa në Mjekimin Intensiv janë duke u trajtuar tre pacientë”.

Kosova ka rreth 400 mijë vaksina anti-COVID në dispozicion derisa sipas nevojës do të kontraktohen edhe të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb