Nga: Ola Mitre*

TIRANE- Ne duam që qeveria t’i tërheqë vetë ndryshimet në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore”, ndër-kohë që paralelisht jemi duke përgatitur kërkesën për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese”. Deklarata vjen nga koordinatori i Asamblesë së Profesioneve të Lira, Erion Dizdari, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” thekson se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat deri në mos bindje civile.

“Mos dhënie shërbimi apo mospagesë e kontributeve të sigurimeve janë disa prej formave që do të ndiqen, nëse ligji nuk tërhiqet”, thotë Dizdari. Ndërkaq, ditën e sotme profesionistët e lirë do të zhvillojnë një tjetër protestë paqësore, si dhe për të sensibilizuar qytetarët t’u bashkohen për të kundërshtuar ndryshimet ligjore, pasi ato preken drejtpërdrejt shërbimet që ata marrin.
Z. Dizdari, duke qenë se pak ditë më parë ndryshimet në ligjin për “Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të cilat parashikojnë rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, u miratuan në parlament, cila do të jetë kërkesa juaj në protestën e nesërme (sotme)?
Protestat do të kërkojë që në radhë të parë të sensibilizohet opinioni publik, pasi kjo ndërhyrje do të ndikojnë në ndryshimin e çmimeve. Dikush do t’i rritë, dikush do të ulë cilësinë e shërbimit, ndërsa të tjerë do falimentojnë. Po ashtu, do të kërkohet abrogimi i ligjit nga vetë qeveria: në rast të kundërt, ligji do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.
Çfarë hapash jeni duke ndërmarrë për ta dërguar ligjin në Kushtetuese?
Jemi duke përgatitur kërkesën me ekspertët tanë.
Pak më lart thatë që kërkoni të rrisni ndërgjegjësimin e publikut mbi këto ndryshime ligjore. Pse e kërkoni këtë? Kërkoni që është qytetarë të tjerë t’ju bashkohen nëpër protesta?
Po, absolutisht. Është diçka që prek një pjesë të madhe të shoqërisë, për të mos thënë që e prek të gjithë shoqërinë, sepse kemi të bëjmë me 17 profesione që fillojnë nga shëndeti, te mbrojtja ligjore (noterë, avokatë), te inxhinieria, te peshkimi, tek ekonomia.
Ju keni bërë disa protesta radhazi, por pavarësisht tyre, ligji u miratua në Kuvend. Pas protestës së nesërme (sotme), do të vijoni sërish të protestoni në rast se kërkesat tuaja nuk merren parasysh? Çfarë hapash do të ndërmerrni?
Hapat do të zbulohen ditë pas dite, duke qenë se edhe qeveria nuk na e ka vënë shumë veshin kohët e fundit. Protestat sigurisht do të vijnë duke u përshkallëzuar, por ne fillimisht do të ndjekim të gjitha hapat ligjore, ndërsa më pas ka edhe mosbindje civile.
Çfarë nënkuptoni me mosbindje civile?
Ka shumë forma të mosbindjes civile, që nga braktisja e shërbimeve deri te mospagimi i detyrimeve të sigurimeve shoqërore nga të gjithë profesionistët e lirë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: