Përpjekjet e tre dekadave në uljen e vdekshmërisë foshnjore u përmbysën vitet fundit, kur numri fataliteteve nën 1 vjeç arriti në vitin 2019, nivelin më të lartë që nga 2012-a, teksa fenomeni mbeti i lartë edhe për vitin 2020. Statistikat zyrtare tregojnë se, shkaqet lidhen me mungesën e mjekëve dhe pajisjeve në qarqet në të gjitha maternitetet e vendit, sidomos në periferi. Vdekshmëria u rrit nga ndërlikimet gjatë lindjes dhe sëmundjet respiratore, të lidhura këto me pajisjet dhe kujdesin mjekësor neonatal. Burimet nga maternitetet e Tiranës, Kukësit dhe Dibrës pohojnë se stafet mjekësorë janë pakësuar me 30-40% në raport me 2010, kurse pajisjet mjekësore janë të vjetruara. OKB e konsideron vdekshmërisë foshnjore si matësin më të saktë të zhvillimit njerëzor global dhe treguesin më të hershëm që sinjalizon ecurinë e varfërisë, shëndetit të popullatës dhe ekonomisë së një vendi

Blerina Hoxha

Kur numri i vdekjeve të foshnjave pa mbushur një vjeç nis e rritet, drama nuk u takon vetëm familjeve që i humbin ato, por vjen si një ogur i zi për të gjithë vendin se, mirëqenia dhe prosperiteti nuk janë në rrugë të mbarë. Jo pa qëllim, Kombet e Bashkuara e shohin vdekshmërisë foshnjore si matësin më të saktë të zhvillimit njerëzor global dhe treguesin më të hershëm që sinjalizon ecurinë e varfërisë, shëndetit të popullatës dhe ekonomisë së një vendi. Për çdo 1000 lindje humbën betejën me jetën 10 foshnja në vitin 2020, ky koeficient ishte 10.3 në vitin 2019 dhe 7.1 në vitin 2015.

Tre vitet e fundit, Shqipëria përmbysi përpjekjet e tre dekadave, kur vdekshmëria e foshnjave nën një vjeç rinisi rritjen e mprehtë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në shkallë vendi, në vitin 2020 humbën jetën 281 foshnja deri në 1 vjeç, ndërsa në vitin paraardhës 293 foshnja, niveli më i lartë që nga viti 2012. Rritja e fenomenit për të dytin vit ndodhi në një kohë që lindjet ranë me shpejtësi. Në vitin 2019, Shqipëria e kishte vdekshmërinë foshnjore gati sa dyfishi i rajonit, dhe më e larta në Europë, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Treguesi ndonëse me rënie të lehtë mbeti i lartë edhe për vitin 2020.

Publikimet e INSTAT tregojnë se, gjatë vitit të kaluar fatalitetet në moshat 0-1 vjeç u rritën ndjeshëm në qarqet e Gjirokastrës, Korçës, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës, në raport me vitin paraardhës, nga 9 – 100 % sipas qarqeve. Profesor Eduart Kakarriqi, një nga ekspertët më të njohur të shëndetit publik në vend, tha se, Shqipëria, që nga fillimi i viteve 1990, e kishte përmirësuar dukshëm e vdekshmërinë në 1 vjeç.

Rikthimi i fenomenit në qarqe, sipas tij, tregon se, sistemi shëndetësor sidomos në kujdesin neonatal po përballet me dobësi në asistencën që jepet për foshnjën në 28 ditët e para të jetës. Edhe të dhënat zyrtare, në fakt, tregojnë pikërisht këtë dobësi, pasi numri më i lartë i fataliteteve u faturohet ndërlikimeve në barrë, në lindje, gjatë dhe pas lindjes. Më 2019, nga kjo anomali humbën betejën me jetën 42 bebe më shumë se në vitin 2018. Fatalitetet nga sëmundjet respiratore shënuan rritje me 400% në raport me 2018.

Ekspertët e shëndetit publik pohojnë si shkaktarë mungesën e pajisjeve mjekësore dhe mjekëve, veçanërisht në qarqe. Ministria e Shëndetësisë, e cila grumbullon të dhënat në kohë reale për lindjet dhe fatalitetet e foshnjave, nuk komentoi mbi fenomenin, duke ia kaluar këtë përgjegjësi Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Duke iu përgjigjur një kërkese për të drejtë informimi ISHP sqaroi se, “vdekshmëria foshnjore është ende një temë në studim. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me INSTAT janë duke grumbulluar më shumë detaje mbi vdekshmërinë foshnjore. Gjithashtu jemi duke studiuar disa hipoteza lidhur më prirjen e vërejtur, përfshirë problemet në klasifikimin e ‘Feto morto’, prandaj edhe nuk kemi një konkluzion përfundimtar për këtë çështje”.

Kjo nënkupton se se, në vitet e kaluara, fatalitetet në orët e para të lindjes nuk janë raportuar në regjistrat e gjendjes civile. Standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë që të konsiderohen si “vdekje”, lindjet premature pas javës së 28 të shtatzënisë deri në moshën një vjeç. Një mjek në ISHP, në kushtet e anonimatit shpjegoi se, në të shkuarën ka pasur, por nuk janë raportuar foshnjat e lindura të vdekura, ose që vdesin në javën e parë, por përfitimi i bonusit të bebeve ka nxitur regjistrimin e tyre në gjendjen civile.

Pohimi nxjerr në pas se raportimi i një prej treguesve më të rëndësishëm globalë mund të ketë qenë i pasaktë. Shqipëria e ka pasur fatalitetin e bebeve më të lartë se raportimet zyrtare dhe e ka fshehur atë. Duke marrë në konsideratë këtë nënraportim, Organizata Botërore e Shëndetësisë historikisht e ka përllogaritur vdekshmërinë foshnjore të Shqipërisë, të paktën 40% më të lartë se raportimet kombëtare.

Shkaqet fshihen pas mungesës së mjekëve dhe pajisjeve

Deri në vitet 2010, në maternitetin e Kukësit dhe Dibrës kishte nga 5 – 6 mjekë obstetër dhe nga 3 – 4 mjekë neonatalë, por aktualisht situata është e trishtë. Vitin e kaluar, në Dibër shërbente vetëm një mjek gjinekolog dhe deri para pak kohësh, vetëm një i tillë edhe në maternitetin e Kukësit. Të dy mjekët të cilët shërbenin në qarqet e largëta banojnë në Tiranë dhe shërbimi në fundjavë ka mbetur i pambuluar.

Një punonjëse nga materniteti i Kukësit tha se, mungesa në staf dhe pajisje janë të mëdha në të gjitha hallkat e shërbimit. Shërbimet në maternitet janë gati si ato të urgjencave, pasi zakonisht nënat nuk lindin me planifikim, ndaj shërbimi dhe gatishmëria kërkohet në çdo orë.

Shumë urgjenca nisen drejt Tiranës, sidomos gjatë fundjavës. Udhëtimi drejt kryeqytetit është kosto shtesë për stafin që punon në këto qytete, pasi një mjek dhe një infermier duhet të shoqërojnë të sëmurin drejt Tiranës, ndërkohë shërbimi mbetet i pambuluar në qytet. Situata është e njëjtë edhe në qytetin e Dibrës, i cili historikisht e ka vdekshmërinë foshnjore më të lartë në krahasim me rajonet e tjera.

Më 2019, Dibra i kishte 78% më të larta fatalitetet e foshnjave në raport me vitin 2018 dhe 8% më shumë se në vitin 2014. Ndërsa në Kukës vdekshmëria foshnjore me 2019 u rrit me 36% në raport me vitin paraardhës dhe në krahasim me vitin 2014 u rrit me 6%. Burimet në maternitet raportojnë mungesa në pajisjet spitalore, që nga monitorët për kujdesin intensiv, krevatet dhe mjetet në sallat e lindjes dhe deri te furnitura elementare.

Pajisjet janë të vjetra, mjekët janë të pakët. “Monitor” kontaktoi me stafet e materniteteve në këto dy qarqe, të cilët pohuan se numri i punonjësve ka rënë me gati tre herë në raport me vitin 2010 dhe pajisjet mjekësore janë amortizuar dukshëm.

Mungesa edhe në Tiranë

Para 6-7 vitesh, në dy maternitetet publike të Tiranës, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” ishin 20 mjekë neonatalë, ndërsa tani nuk janë më shumë se 13 të tillë. Burimet nga stafet pohojnë se, ka mangësi të burimeve njerëzore në të dy maternitetet në të gjithë zinxhirin dhe gjithashtu në pajisje, pasi ato ekzistuese janë shumë të vjetruara dhe kërkojnë remonte të shpeshta. Një mjek në shërbimin neonatal në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” pohoi se, fatalitetet pranë këtij spitali kanë rënë dukshëm vitet e fundit. Madje mjeku tha se, është rritur dukshëm jetëgjatësia te lindjet premature.

Tani mbahet në jetë edhe një foshnjë që lind në peshën 700 gramë, që më parë kanë qenë utopi. Por mjeku vuri në dukje se, numri i kolegëve të cilët kujdesen për foshnjën në 28 ditët e para të jetës është i pakët dhe ka mangësi edhe në pajisje. Për të përballuar me dinjitet kërkesën duhen më shumë monitorë të kujdesit intensiv dhe respiratorë – tha mjeku. Kolegët e maternitetit të ri, tha ai, shpesh janë përballur me problematika të mprehta, për shkak të mungesës së pajisjeve të kujdesit intensiv. Duke qenë se shumica e pajisjeve kanë konsumuar kohën e përdorimit, shumë prej tyre nuk janë në gjendje pune në momentin që nevojiten.

Shërbimi neonatal, problem për mjekë

Neonatologjia është një degë e pediatrisë që trajton shëndetin e foshnjave në 28 ditët e para të jetës. Duke pasur fokus specifik dhe për një periudhë të shkurtër jetën e bebes, mjekët pediatër nuk preferojnë të specializohen në këtë drejtim. Ata e shohin më të udhës të punojnë si pediatër i përgjithshëm, pasi do të mbulojnë problemet shëndetësore për fëmijë deri në 14 vjeç, ndryshe nga neonatologët të cilët duhet të specifikohen për bebet njëmuajshe.

Mjeku neonatal te “Mbretëresha Geraldinë” tha se, këto janë arsyet se pse gjithnjë e më pak mjekë të rinj zgjedhin këtë profesion, ndërkohë që kërkesat për shëndetin e bebeve në ditët e para të jetës janë në rritje. Profesor Kakarriqi, tha se, historikisht Shqipëria ka pasur mangësi dhe nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur kujdesit neonatal. Kjo ishte më e dukshme nëpër qarqe. Por edhe mjekët ekzistues duhet të trajnohen në vijimësi, në mënyrë që të mund të trajtojnë diagnozat e rralla në kohë, sidomos ato që rrezikojnë foshnjat në orët e para të lindjes.

Fatalitetet, Fieri, Dibra dhe Berati me rritjen më të madhe në vitin 2019

Në Qarkun e Fierit, sipas të dhënave zyrtare, kanë humbur jetën 28 foshnja në vitin 2019. Ky numër ishte 154% më i lartë se në vitin 2018 dhe 9% më i lartë se në vitin 2014. Materniteti kryesor i këtij qarku ka pasur mangësi në pajisje derisa Gazsjellësi TAP investoi në shërbimin e neonatalogjisë me pajisje dhe godina në fund të vitit 2019.

Në vitin 2018, në këtë qark raportohet zyrtarisht se kishin humbur betejën me jetën vetëm 11 foshnja, në vitin 2019 më shumë se dyfishi me 28 foshnja, ndërsa më 2020 humbën jetën 21 foshnja. Pas Fierit rritjen më të madhe e kishte Qarku i Dibrës me 2019, ku raportohet se vdekshmëria foshnjore është rritur me 78% në raport me 2018. I treti për vdekshmërinë e lartë foshnjore ishte Berati, me rritje 11% në raport me vitin 2013 dhe më pas Kukësi, me 36% dhe më tej Lezha, me 28%.

Burimet nga spitalet e këtyre rretheve pohuan se, kanë mungesa të theksuara në burimet njerëzore, si mjekë dhe infermierë. Shumë prej stafeve ekzistuese kanë emigruar ose kanë dalë në pension, ndërkohë që nuk janë bërë zëvendësimet e plota në raport me nevojat. Ministria e Shëndetësisë, dy vite me parë lidhi kontrata të posaçme me paga të larta për të mbuluar disa shërbime bazë në spitalet rajonale, por sërish ka mungesa të mëdha në maternitete.

Diagnozat ia hedhin fajin shërbimit mjekësor

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në 2020-n, shkaktari më i madh i fataliteteve te bebet ishin “ndërlikimet në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”. Nga kjo diagnozë kanë humbur jetën 106 ose 37.7 % e fataliteteve gjithsej. Mjekët në Institutin e Shëndetit Publik pohuan se, shumë prindër u nxitën të regjistronin vdekjet në javën e parë pas lindjes për të përfituar bonusin e lindjes, pasi raste të tilla më parë nuk raportoheshin. Por gjithsesi, vdekjet nga kjo diagnozë edhe në vitin 2018 shënuan rritje vjetore me 14%, ndërkohë që bonusi nuk aplikohej.

Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, 9 foshnja humbën jetën si pasojë e sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes, nga vetëm 3 foshnja që nuk mbijetuan për shkak të kësaj diagnoze më 2018. Brenda një viti, vdekshmëria për këtë çrregullim u rrit me 300%.

Rritje të ndjeshme shënuan edhe fatalitetet nga “simptoma, shenja dhe sëmundje të përcaktuara mirë”. Vitin e kaluar, 16 bebe nuk mbijetuan nga sëmundje që nuk u përcaktuan dot nga mjekët. Ekspertët e Shëndetit Publik shpjeguan se shkaqet e vdekjeve zbardhin shkaktarët e vërtetë të vdekshmërisë. Rritja e vdekjeve në ndërlikimet gjatë dhe pas lindjes, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes tregojnë për mungesa në pajisje, të tilla si respiratorë dhe kardiomonitorë etj. Ndërsa gjithnjë e më shumë foshnja vdesin nga shkaqe të panjohura është një tregues që shërbimi neonatal dhe prematurë është përkeqësuar, shpjegoi mjeku.

Studime më të hershme të Institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se, pjesa më e madhe e vdekjeve te foshnjat ndodh në zonat rurale në prindër me arsim të ulët. Kjo gjetje është reale edhe sot, madje është përkeqësuar, pasi shërbimi mjekësor për moshat pediatrike mungon në rrethe, ose është shumë i dobët dhe nga ana tjetër, varfëria në rritje në zonat urbane pengon nënat e reja të kenë akses te shërbimet mjekësore.

Në maternitetet rajonale dhe bashkiake mungojnë kirurgët. Nënave të reja që u duhet të lindin me operacion, u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës, por disa lloje ndërlikimesh në barrë si “rezusi negativ” kërkojnë ndërhyrje urgjente. Punonjës në shërbimet publike pohojnë se mungesa e shërbimeve kirurgjikale në rrethe e ka rritur vdekshmërinë foshnjore. Edhe mungesa e mjekëve në rrethe që asistojnë nënën gjatë barrës dhe ndjekin shëndetin e foshnjës pas lindjes është bërë shkak për rritjen e fataliteteve te foshnjat. Në shumicën e rretheve, mjekët kirurgë janë nga Tirana dhe punojnë me orar të kufizuar, ndërkohë që në fundjavë shërbimet nuk janë të mbuluara.

Anketa e Shëndetit të Popullatës në vitin 2018 evidentoi se 34% e grave në moshë 15 – 49 vjeç raportuan të paktën një problem në aksesin në shërbime shëndetësore. Kjo ishte e dukshme për gratë në fshat, 45% e të cilave raportuan se kishin qasje të kufizuar në këto shërbime.

Varfëria dhe niveli arsimor, shkak për fatalitete

Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një grua shtatzënë duhet të ketë të paktën katër vizita para lindjes për të zvogëluar rrezikun e lindjeve të vdekura dhe ndërlikimet e shtatzënisë, dhe vizita e parë duhet ndodhë 8 deri në 12 javët e para të shtatzënisë. Anketa Demografike e Shëndetit, 2017-‘18 (ADHS) që jep informacion të detajuar në lidhje me shëndetin e popullatës, gjeti se pjesa më e madhe e nënave shqiptare i respektojnë këto udhëzime, pasi 78% e tyre kishin katër ose më shumë vizita para lindjes, dhe 82% e tyre kishin vizitën e parë në tremujorin e parë të shtatzënisë.

Të dy treguesit janë më të lartë në zonat urbane. Përqindja që kishte të paktën katër vizitat para lindjes është 82% në zonat urbane, krahasuar me 73% në zonat rurale. Anketa gjeti se varfëria dhe niveli i arsimit ishte një element thelbësor për shërbimet shëndetësore te gratë shtatzëna. Rezultatet e anketës tregojnë ndryshime të mëdha në qarqe te gratë që morën hekur dhe vitamina gjatë shtatzënisë. Vetëm 13% e grave para lindjes në Kukës morën suplemente dhe hekur më 2018, krahasuar me 80% të shtatzënave në Gjirokastër.

Përdorimi i suplementeve të hekurit është i lidhur ngushtësisht me arsimin dhe statusin ekonomik të familjes. U pa se vetëm 36% ose më pak e grave shtatzëna me arsim 4-vjeçar marrin suplemente gjatë shtatzënisë, krahasuar me 75% të grave me arsim universitar ose pasuniversitar. Në mënyrë të ngjashme, 55% e grave në kuintilin më të ulët të të ardhurave morën hekur dhe suplemente gjatë shtatzënisë, krahasuar me 75% të atyre në kuintilin më të lartë.

Hulumtimet kanë treguar se shumica e vdekjeve të nënave dhe foshnjave ndodhin brenda dy ditëve të para pas lindjes. Kujdesi pas lindjes duhet të sigurohet sa më shpejt që të jetë i mundur pas lindjes, dhe brenda kësaj periudhe kritike.

Sipas rezultateve të Anketës Demografike të Shëndetit më 2018, përqindja e grave me një kontroll 4 orë pas lindjes është më e lartë në zonat urbane (81%) sesa në zonat rurale (70%).

Përqindja e grave që morën një kontroll në katër orët e para pas lindjes ndryshon shumë nga qarku në qark, nga 56% në Lezhë dhe Shkodër në 93% në Durrës. Aksesi në kontrollet pas lindjes është i lidhur drejtpërdrejt me arsimin dhe gjendjen ekonomike. 71% e grave me arsim fillor 4-vjeçar kishin kontroll të bebes në 4 orët e para pas lindjes, krahasuar me 81% të grave me arsim universitar ose pasuniversitar. Duke ndjekur një model të ngjashëm, 67% e grave në kuintilin më të ulët të pasurisë kishin një kontroll pas lindjes, krahasuar me 85% të grave në 20 përqindëshin me të ardhurat më të larta.

Sipas anketës, 60% e grave që kanë lindur foshnja në vitet 2016-2018 morën një kontroll pas lindjes në dy ditët e para nga një obstetër ose gjinekolog, 26% nga infermierja ose mamia dhe 2% nga mjeku i familjes. Por vetëm gjysma e të porsalindurve (53%) në zonat urbane morën një kontroll pas lindjes në orën e parë, krahasuar me 23% e të porsalindurve në zonat rurale.

Diferenca shumë të mëdha mund të vërehen në orën e parë në të gjithë prefekturat. Në Dibër, që është një nga qarqet me vdekshmërinë më të lartë foshnjore në raport me popullsinë, vetëm 5% e foshnjave kontrollohen në orën e parë pas lindjes krahasuar me 50% në Tiranë.

Stili i jetesës rrit barrën e sëmundjeve te shtatzënat

Si në të gjitha grupet e sëmundjeve, stili i jetesës ndikon tek shtatzënitë dhe sëmundjet pas lindjes. Mosha e martesës te gratë po rritet, gjithashtu pirja e duhanit, alkoolit, obeziteti janë gjithnjë e më të përhapura te gratë. Për shkak të këtyre ndryshimeve, tani gjithnjë e më pak nëna lindin në mënyrë natyrale dhe gjithnjë e më pak zgjedhin t’i ushqejnë foshnjat me gji.

Entet publike përgjegjëse për të shqyrtuar këta faktorë dhe ndikimin e tyre në vdekshmërinë foshnjore ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë studim, por të dhëna të tërthorta tregojnë se, paralelisht me rritjen e kontrolleve mjekësore, modeli i jetës te nënat e reja po ndryshon me shpejtësi. Të dhënat e INSTAT tregojnë se mosha mesatare për martesë te gratë më 2019, arriti në 28 vjeç nga 26 vjeç në vitin 2015. Lindja në moshë të vonë bëhet shkak për anomali që shpesh nuk identifikohen herët.

Të dhënat nga Anketa Demografike e Shëndetit, 2017-‘18 (ADHS) japin informacion të detajuar mbi stilin e jetesës dhe gjendjes shëndetësore të grave në moshën riprodhuese (mosha 15-49 vjeç). Konsumi i cigares mbetet një problem, por teksa po ulet te meshkujt po rritet te femrat. Gjithashtu, abuzimi me alkoolin është një problem serioz, i cili në vetvete mbart një rrezik të madh në shëndetin e popullatës, si dhe shumë probleme familjare, sociale. 73,4% e të intervistuarve gra dhe 38,3% e burrave raportojnë se nuk pinë alkool, ndërsa te gratë vetëm 23,0% e tyre deklarojnë se pinë alkool.

Kërkimet tregojnë se konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve shoqërohet me rreziqe të reduktuara të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, goditje në tru etj. Rekomandohet që një person të konsumojë tri ose më shumë racione të frutave dhe katër ose më shumë racione të perimeve çdo ditë. Sipas Anketës së Shëndetit, 80% e burrave dhe grave kanë konsumuar 1 deri në 3 racione perime në ditë më 2018, por vetëm 6,8% e grave dhe 2,6% e meshkujve konsumojnë numrin e rekomanduar të perimeve (3 ose më shumë) gjatë ditës.

Gjithashtu obeziteti po shndërrohet në një faktor madhor rreziku. Indeksi mesatar i masës trupore (BMI) ishte 25,4 për gratë 15-49 vjeç në vitin 2018. Rreth 41,5% e grave kanë një peshë normale, 24,4% ishin obeze dhe mbipeshë rezultojnë 30,8% e grave. Mbipesha bëhet shkak për një barrë më të lartë sëmundjesh gjatë shtatzënisë.

Vdekjet rriten, teksa lindjet bien

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga INSTAT, në vitin 2015 lindën 32,715 foshnja, ndërsa humbën betejën me jetën në vitin e parë pas lindjes 233 prej tyre. Vitin e kaluar kishte më pak lindje, 28,075 gjithsej, teksa humbën jetën 281 foshnja.

Nga 1990 deri në vitin 2016, vdekshmëria foshnjore u ul me ritme më të shpejta se sa lindjet. Më 1990 lindën 82 mijë e 125 foshnja, ndërsa nuk mbijetuan dot, deri në vitin e parë të jetës, 2315 foshnja. Nga viti 1990 deri në 2016, lindjet ranë me 61%, ndërsa vdekshmëria foshnjore ra me 88%. Trendi ka ndryshuar pas vitit 2016. Numri i lindjeve gjatë 2016-2019 ka rënë me 10%, ndërsa fatalitetet nën moshën 1 vjeç janë rritur me 5.7%.

INSTAT raportoi se në vitin 2019, niveli vdekshmërisë foshnjore është 10 për 1 mijë lindje të gjalla kundrejt 8,9 për lindje të gjalla në vitin 2018, me një rritje 1.1 pikë përqindje në raport me një vit më parë. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “ndërlikimet në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 38,2% dhe “sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes” me 27,6% të kësaj grupmoshe gjithsej.

Shqipëria me vdekshmërinë më të lartë foshnjore në Rajon dhe Europë

Për shkak se treguesi i vdekshmërisë foshnjore është i nënraportuar, institucione të ndryshme japin vlerësime dhe statistika jo të njëjta për fenomenin. Organizata Botërore e Shëndetësisë historikisht ka raportuar fatalitetet e bebeve deri në 1 vjeç më të larta se të dhënat kombëtare.

Ndërsa Banka Botërore, e cila analizoi treguesin në rang global, duke marrë në konsideratë disa burime përllogariti se, Shqipëria i kishte fatalitetet nën moshën një vjeç në 8.6 për 1000 mijë lindje të gjalla. Për të njëjtin vit, Banka raportoi se, ky tregues në Serbi ishte 4.6, në Maqedoni 5.3, në Bosnjë 5.1, në Malin e Zi 2 foshnje për 1000 lindje të gjalla.

Të dhëna të tjera të Eurostat gjetën se, Shqipëria ishte e katërta me normën më të lartë në Europë për vdekshmërinë foshnjore, për vitin 2018. Për këtë vit, në Shqipëri përllogariten 8.9 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.5 vdekje për 1000 lindje. Në të gjithë vendet e Bashkimit Europian është vënë re rënie e vdekshmërisë foshnjore, ndërsa Shqipëria ka treguar një rritje të normës. Në vitin 2015, përllogariteshin 7.1 vdekje për 1000 lindje të gjalla.

Normën më të lartë në Europë për 2019, sipas Eurostat, e ka Azerbajxhani me 11.1 vdekje foshnjore për 1000 lindje të gjalla, por me ulje në raport me vitet paraardhëse. Në vend të dytë renditet Shqipëria me 10.3, re ndjekur nga Turqia dhe Kosova.

Rritja e këtij treguesi, sipas studimeve të vazhdueshme të institucioneve botërore si OKB, OBSH, e vendos vendin tonë në një pozicion të pafavorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe indeksin e zhvillimit njerëzor./Monitor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: