Kontratat e koncesioneve me formulën e Partneritetit Publik Privat do të kenë një faturë prej 807 miliard lekë. 50 % e tyre janë vetëm në energjetikë. Shifra është bërë publike nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë raportimit për koncesionet në buxhetin e vitit 2019 në komisionin e ekonomisë.

“Të gjithë kontratat janë 807 mld. Nga të cilat 391 mld janë energji, pra janë HEC-e që ta kuptojnë qytetarët kur dëgjojnë këto PPP është Ashta, Devolli, HEC-et që shikoni janë të gjitha pjesë e kësaj shifre. Por pjesë e kësaj shifre është edhe Rapiskani, pjesë janë edhe pullat fiskale, është edhe regjistri i barrës siguruese pra kjo boloria e PPP që t’i sqarojmë sot dhe secili ka të drejtë të bëjë pyetje kur nuk bindet”, tha Ahmetaj.

Kreu i komisionit të ekonomisë Erion Braçe duke marrë si shembull rrugën Thumanë-Kashar vlera e të cilës ndryshoi disa herë kërkoi arsyet se përse vlera e disa projekteve në infrastrukturën rrugore është rritur më shumë gjatë garës që është zhvilluar sesa në fillim kur kompanitë koncesionare kanë bërë ofertën.

“Shqetësimi që ka lindur ka të bëjë me atë që iu keni paraqitur në buxhetin 2018, për koston totale. Në 2018 ka një vlerë në 2019 ka një vlerë tjetër të shtuar mund të dimë arsyen për këto kontrata se pse është shtuar kjo vlerë. Aksi Thumanë-Vorë Kashar”, tha Braçe.

“Diferenca me 2017 me 2018 tani është në nivel të avancuar Njëra është parashikim pa projekt të detajuar ndërsa kjo që sjellim tani në buxhetin e shtetit është për shkak se ka një draft kontratë të negociuar mbi bazë të një projekti të detajuar kjo është diferenca”, u shpreh Ahmetaj.

Komisioni i ekonomisë miratoi në parim projektbuxhetin dhe paketën fiskalë 2019 i cili pritet të diskutohet të enjten në seancën plenare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb