TIRANË

Kryeministri Edi Rama tha sot se rritja ekonomike me 18% në tremujorin e dytë të këtij viti nuk do të thotë rritje rrogash e pensionesh.

Duke iu përgjigjur një qytetareje mëngjesin e sotëm në një sesion pyetje-përgjigje, Rama tha se kjo rritje do të thotë se ekonomia po ringrihet me shpejtësi pas rrëzimit. Kreu i qeverisë deklaroi më tej se rrogat nuk rriten sipas dëshirës, po sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike të vendit dhe ne i kemi rritur e do të vazhdojmë t’i rrisim ato, paralelisht me rritjen e këtyre kapaciteteve.

Ju e kini rrit ekonominë mor kështu thatë par tre ditësh.
Rama: Po është e vërtetë, 18% rritje në tremujorin e dytë, më e larta në rajon, si rezultat i një ringritjeje të fuqishme pas rënies dramatike nga pandemia. Por nëse komenti yt supozon ironikisht se meqë u rrit vërtetë ekonomia, atëherë duhet të rriteshin automatikisht rrogat e pensionet, përgjigja është jo, kjo nuk funksionon kështu, sepse kjo rritje do të thotë se ekonomia po ringrihet me shpejtësi pas rrëzimit, e jo po ngjitet 18% më lart sesa ç’ishte para se të rrëzoheshim.

Cfarë? krahasoni vendet e botës me Shqipërinë, rrogat janë skandal krahasuar me çmimet. Ngrini rrogat njësoj si ne vendet e tjera pastaj dilni e flisni për ekonominë, është absurde!

Rama: Sikur rrogat të ngriheshin me sustë e jo me punë të mundimshme dhe me durim, atëherë vende të pasura si Gjermania apo Franca do t’i kishin bërë nga 20 mijë euro për person ose të tjerët rreth nesh, në rajon, do t’i kishin çuar sa në Europë! Por ja që rrogat nuk rriten sipas dëshirës, po sipas rritjes së kapaciteteve ekonomike të vendit dhe ne i kemi rritur e do të vazhdojmë t’i rrisim ato, paralelisht me rritjen e këtyre kapaciteteve. Ndërsa krahasimi me vendet e tjera në rastin e energjisë, vlen sepse si Spanja, si Italia e po njësoj edhe Shqipëria, energjinë e blejnë me të njëjtin çmim që ka në bursën ndërkombëtare, e cila nuk pyet sa i kanë rrogat atje apo këtu. Ne nuk mund të ndryshojmë çmimin e energjisë, po sigurisht mundet e do të mbrojmë konsumatorin familjar nga rritja e papërballueshme e tij, sepse energjinë e blen dhe e shet shteti tek familjet. Ky është ndryshimi me çmimet e tjera, ato nuk i vendos qeveria, po i vendos tregu, kërkesa dhe oferta, vetëm në diktaturat komuniste çmimet i vendos qeveria.

Po ku krahasohesh ti me Spanjën e Gjermaninë? E di ti ça rroge ka populli prandaj ngrini rrogat e popullit lërini llafet!

Rama: Jo ne nuk mund t’i leme fjalët, sepse fjala është e Zoti dhe Zoti është fjala, siç thonë librat e shenjtë dhe fjala na dallon nga qeniet e tjera të gjalla duke na dhënë mundësinë të komunikojmë e të kuptohemi njerëzisht. Ndërsa llafet janë diçka tjetër, që s’ka lidhje me punën tonë, e cila komunikimin me njerëzit e ka mjet të pazëvendësueshëm. Në këtë rast nuk po krahasohemi me askënd, thjesht po informojmë publikun për rritjen e përgjithshme të çmimit të energjisë në tregun ku edhe Spanja, edhe Gjermania, edhe Shqipëria blejnë energji.

Nuk po shohim rritje rrogash si keni premtuar?

Rama: Rrogat rriten kur bëhen buxhetet e viteve pasardhëse dhe rrogat do të rriten vit pas viti siç jemi zotuar, duke nisur nga paga minimale që vitin tjetër do të shkoje 320 mijë lekë dhe deri në fund të mandatit do të shkojë të paktën 380, po duke bërë çmos të arrijë 400 mijë lekë.

Me shumë respekte për ju si qeveri, por mos dilni duke bërë krahasime me Gjermaninë se Gjermania po ishe pa punë të paguajnë ujë, drita, shtëpia, plus të jep dhe 400€ në muaj që ti të hash bukë dhe të mos shkosh me vjedh ok. Po ju jetoni mirë me përralla dhe mjerë populli aty. Dhe sa për drita një person në Gjermani paguan 20€ në muaj kur rroga është 1500€ ok, po të ju vijë turp se të gjithë kanë dalë jashtë prej jush turp.

Rama: Nuk e di kush e ka treguar që dritat në Gjermani qenkan 20 euro në muaj, por kjo shifër është shumë larg të vërtetës, ndërkohë këtu nuk ka bërë askush asnjë krahasim me Gjermaninë, por kemi folur për çmimin e energjisë në tregun ndërkombëtar, ku nuk të pyet njeri si e ke emrin, e ke Gjermani apo e ke Shqipëri, kur të jep çmimin, i cili është njësoj si për njërën si për tjetrën. Nga ana tjetër, ju duhet ta dini se kjo qeveri u kompenson çdo vit familjet e varfra një pjesë të faturës së energjisë dhe çmimi i energjisë në Shqipëri që të jemi të qartë, është sot e gjithë ditën një çmim i subvencionuar pasi kostoja reale e kilovatit është më e lartë se sa çmimi në faturën e konsumatorit. Edhe diçka në fund, kur e bëmë reformën e madhe të energjisë më kujtohet mire se ankoheshin e bërtisnin ose ata që nuk paguanin, ose ata që kanë më shumë. Dhe siç kam thënë atëherë po ua them prapë sot, atyre që fjalën turp e kanë në majë të gjuhës: Cilido ndër ta duhet të kujtohet përpara se sa të vërë kujën, që pensionistët kanë qenë historikisht paguesit më të rregullt të energjisë elektrike dhe as e kanë vjedhur ndonjëherë e as nuk e kanë lënë ndonjëherë pa paguar faturën!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb