TIRANË

Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë falënderuese për menaxhimin me sukses të vatrave të zjarreve në vend, tha se do t’u rriten pagat të gjithë anëtarëve të
Mbrojtjes Civile dhe efektivëve të FA, që vendosin në rrezik jetën e tyre për të mbrojtur vendin.

Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra sa i përket zjarrvënësve. Ai tha se shumë prej tyre janë identifikuar dhe arrestuar, e kërkoi nga gjykata që t’i japë një dënim shembullor, që fenomene të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

“Ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën, që nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme, sepse nuk është e mjaftueshme askund, kur cilido që i përket këtyre trupave përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por si gjithmonë një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por për të ndjerë vlerësimin për punën që bën. Nuk dua të zgjatem më tutje, por s’rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit, të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë të atyre që me një shkrepëse, një shishe benzinë, vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, djersën, përkushtimin e shumë gjeneratave duke privuar nga qoftë edhe një qelizë e mushkërive të gjelbërta të këtij vendi, fëmijët e këtij vendi. Më vjen mirë që Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, që nuk meritojnë të jenë të lirë mes qytetarëve të lirë të këtij vendi, meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj që gjykatat të japin vendimet e duhura dhe shpresoj që gjykatësit të jenë në lartësitë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe aq shumë pemë, burime jete të shkatërruara.

Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, ata janë pasuria jonë, thesari që ne duam t’ia trashëgojmë fëmijëve tanë, edhe gjykatësit. Këta kriminel barbarë, jo vetëm të kalben në burg, por të shërbejnë për t’i dhënë një mesazh të qartë. Është e patolerueshme që ndryshimet e klimës në vetvete përbën potencial të lartë për zjarre, dora e njeriut të shtojë nga vetja, për të vënë para një sfide marramendëse të gjithë këta prindër, për të vënë përpara kësaj sfide të gjithë këta bij e bija të këtij vendi, e për të ndezur zjarre që shkojnë deri aty që marrin jetë. Për fat të mirë, falë trupave janë shpëtuar jetë. Një tragjedi si ajo që përmendëm me humbjen e dy prindërve është shumë e madhe. Parafytyrimi që mund të kishin qenë shumë më tepër sesa kaq, e bën revoltën shumë më të madhe. Fjala ime e fundit është pa harruar edhe disa, jo të gjitha, disa nga autoritetet vendore u ka shkëlqyer me përkushtimin dhe me gatishmërinë e tij Perfekti i Vlorë, por jo vetëm. Të gjithë duhet të ndihen sot krenarë për atë që kanë bërë. Unë ndihem i përulur për faktin që ne na takon të bëjmë më tepër për të gjithë ju.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb