Autoritet në Nju Jork po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmjët pasi ka patur një rritje shqetësuese të fëmijëve të prekur me koronavirus të cilët po shtrohen në spital. Numri i tyre është katërfishuar që nga fillimi i dhjetorit. Ndonëse niveli i vaksinimit mes të rriturve është i lartë në Nju Jork, ai i fëmijëve është shumë i ulët.

Zyrtarët e Departamentit të Shëndetësisë në shtetin e Nju Jorkut thanë se rritja së fundmi me katërfish e shtrimeve në spital të fëmijëve, e cila nisi prej 5 dhjetorit, ishte e përqendruar në qytetin e Nju Jorkut dhe zonat përreth, ku varianti tejet ngjitës Omicron po përhapet me shpejtësi.

Komisionerja në detyrë e shtetit për Çështje të Shëndetësisë, Doktoreshë Mary T. Bassett tha të hënën se niveli i vaksinimit tek fëmijët vazhdon të jetë shumë i ulët në të gjithë shtetin. Një situatë që siç tha ajo, duhet të ndryshojë.

“Të dhënat e njoftuara të premten nuk kishin qëllim të tregojnë se ka një epidemi infeksionesh në mesin e fëmijëve, por të motivojnë pediatrit dhe familjet që të nxisin vaksinimin në mesin e tyre. Shumë njerëz kanë menduar dhe vijojnë të mendojnë se fëmijët nuk infektohen me COVID. Kjo nuk është e vërtetë. Fëmijët infektohen dhe disa prej tyre shtrohen në spital”, tha ajo.

Zonja Basset tha se prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët që janë 5 vjeç e lart duke i vaksinuar plotësisht, ndërsa ata më të vegjël, duke u siguruar që të gjithë personat rreth tyre të jenë vaksinuar, e të marrin masa të tjera mbrojtëse, përfshirë vendosjen e maskave, shmangien e turmave të njerëzve e testimin.

Duke përforcuar mesazhin e zonjës Bassett, Guvernatorja Kathy Hochul u kërkoi njujorkezëve të përdorin periudhën e festave, kohë kur fëmijët nuk janë në shkollë, për t’i imunizuar ata. Ajo garantoi se shteti është më i përgatitur për t’u përballuar me një rritje të rasteve, sesa ishte një vit më parë.

“Ne po inkurajojmë Administratës Amerikane të Ushqimit e Barnave të japë miratimin që edhe fëmijët nën moshën pesë vjeç të vaksinohen, padyshim me një dozë më të ulët, pasi ne duan t’i mbrojnë fëmijët. Por aktualisht mënyra se si mund t’i mbrojmë ata, është që vëllezërit e motrat më të mëdhenj të vaksinohen”.

Javën e kaluar u njoftua vendimi për një reduktim të periudhës së karantinës për punonjësit e kujdesit shëndetësor që infektohen me koronavirus. Bëhet fjalë për ata persona të vaksinuar që nuk shfaqin simptoma, të cilët mund të kthehen në punë pas 5 ditësh dhe jo 10 sa parashikohet për pjesën tjetër të popullsisë. Zyrtarët e shtetësisë thonë se po përpiqen të shmangnin mungesat në personel mjekësor në një periudhë të vështirë, me synimin për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: