A ka ndonjë kufi për nënshkrimet e një klubi? A konkurrojnë të gjitha klubet në kushte të barabarta kur bëhet fjalë për respektimin e rregullave të përcaktuara nga Ligat e ndryshme dhe UEFA?

A është diçka pozitive për Champions-in dhe prestigjin e saj që të lejojë situata të tilla? A mund të përballojë PSG presionin që do të marrë me Mesin në Paris?

Të gjitha këto pyetje lindin natyrshëm në mendjen e çdo futbolldashësi. Prej disa ditësh, Leo Mesi nuk është më lojtar i Barcelonës, teksa PSG duket si ekipi i tij i ardhshëm. Klubi francez mbylli bilancet e vitit të kaluar me 204 milionë humbje.

Një tjetër destinacion i mundshëm për të cilin është folur për argjentinasin muajt e fundit ka qenë Mançester Siti, një klub që ka njohur humbje më të mëdha se ato të PSG-së, por nuk ka hasur asnjë pengesë për të nënshkruar me Xhek Grilishin për 100 milionë paund.

Nëse deri këtu ka diçka që nuk shkon, atëherë shtojmë edhe faktin që ekipi i Guardiolës duhet të mirëpresë edhe Herri Kejnin për dyfishin e asaj shume.

KUJDES – A mund të vazhdojnë këto dy skuadra të pushtojnë merkaton ashtu siç janë duke bërë e me problemet financiare që kanë? Etika konkurruese dhe respektimi i rregullave thonë jo, por realiteti po e bën të qartë se mund të bëjnë atë që duan.

Le të kujtojmë se PSG ka nënshkruar edhe me emra të rëndë si Serxho Ramos, Uanaldum, Hakimi dhe Donaruma. Afrime pa kosto kartonësh, por që gjithsesi rëndojnë në borderonë e ekipit të Maurisio Poçetinos.

Në Spanjë, falë kontrollit që ekziston, do të ishte e pamundur që klubet me humbje dhe me tejkalime në limitin e pagës së lejuar, të kishin shansin për të afruar lojtarë. Fillimisht do të duhej të shisnin dhe në rastin e PSG-së ka pak lojtarë të shitshëm në lidhje me cilësinë dhe çmimin. Në Angli dhe Francë duket sikur ky problem nuk ekziston.

NDRYSHIME – Kontrolli që UEFA kryen ndaj tyre ndodh gjithmonë në një moment të dytë. Praktikisht, ata kryejnë operacionet e tyre dhe sapo të mbyllet merkato ata justifikojnë dhe barazojnë bilancet.

PSG është nën lupën e eskpertëve për disa raste, por një problem firmash parandaloi një sanksion për shkelje lidhur me disa kontrata misterioze reklamash.

Tashmë në Paris janë më të kujdesshëm me situate të caktuara, por dukshëm Fair Play Financiar është mënjanuar në më shumë se një rast. Aleksander Ceferin konfirmoi muaj më parë se kontrolli i dobët i shkaktuar nga pandemia do të vazhdonte edhe për një sezon tjetër.

“Kontrollin ndaj klubeve duhet ta përshtatim me realitetin e ri. Nevojitet të inkurajojmë dhe lirojmë investimet, të mbrojmë njerëzit që financiarisht mbështesin klubet e tyre për shkak të pasionit për futbollin dhe dashurisë së tyre për komunikimin.

Duhet të korrigjojmë disa nga padrejtësitë që Fair-Play Financiar mund të shkaktojë në mënyrë indirekte në rrethanat aktuale. Duhet dhe do ta bëjmë”, pati deklaruar Ceferin, por fjalët e tij ndollën dyshime mes drejtuesve të disa klubeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb