RROGOZHINË – Qyteti i Rrogozhinës është bërë tashmë me një qëndër shëndetësore tërësisht të rinovuar dhe që do t’u shërbejë 50 mijë banorëve, rezultat i ndarjes së re administrative. Qëndra shëndetësore do të pajiset hap pas hapi me pajisjet diagnostikuese, mjetet laboratorike dhe ato imazherike.

Rikonstruksioni i saj është mundësuar nga Turqia, Agjensia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim e për këtë arsye, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj që e ka vizituar këtë qëndër është shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Hidajet Bajraktar.

Duke falënderuar TIKA-n dhe popullin vëlla turk për ndihmën që vazhdojnë të japin vendin tonë, dhe posaçërisht, për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm në sektorin e kujdesit shëndetësor, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se “fuqizimi i kapaciteteve të shërbimit shëndetësor parësor është një element thelbësor, në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë. Rikonstruksion i plotë i kësaj qendre shëndetësore, e cila do të shoqërohet edhe me mbështetjen tonë me pajisje kryesisht diagnostikuese, laboratorike dhe imazherike, sepse edhe me reformimin territorialo-administrativ merr një rëndësi më të madhe, jo vetëm në funksion të shërbimin parësor, por edhe në një shërbim 24 orësh që do të duhet të ofrohet këtu” – tha më tej z. Beqaj.

Nga ana e tij, Ambasadori z. Bajraktar, siguroi Ministrin Beqaj për mbeshtetjen e mëtejshme për projektet e përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Ndërkohë që kjo qendër, si 415 simotrat e saj në të gjithë Shqipërinë, po bëhet gati të jetë pjesë e zbatimit të Programit të Kontrollit Bazë pa pagesë 40-65 vjeç, Ministri Beqaj siguroi punonjësit e saj se “bashkë me investimet e nevojshme do të vazhdojmë edhe programet për të rritur edhe cilësinë e mjekëve dhe infermierëve tanë”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb