Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e tij për bashkinë e Rrogozhinës, për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ndërsa ka folur në lidhje me aferat e qeverisë, Berisha ka evidentuar vjedhjet që bëhen në ndërtimin e rrugëve.

Ai ka deklaruar se në një kilometër rrugë vidhen rreth 20 milion euro, ndërsa tha se kostoja e rrugës dytësore Lekaj-Fier ka qenë 2.5 herë më e lartë se ndërtimi i rrugës kryesore.

“Për ndërtimin e një km rrugë në fushë që në vendet më të pasura të Europës kushton 2-3 mln euro, në Shqipëri 24 mln euro, sepse vidhen në çdo kilometër 20 mln euro, 8-fishi i çmimit me të cilin ndërtohet. Kjo ndodh me shkollë e me çdo punë publike që kryhet me paratë tuaja.
Rrugët anësore Lekaj –Fier, 2.5 herë më shumë se ç’është ndërtuar rruga kryesore, autostrada”, tha ai.

Berisha i ka bërë thirrje të gjitha demokratëve që t’i bashkohen atij në zgjedhjet lokale e të mos bëhen vegla të kryeministrit Edi Rama.

“Çdo demokrat është i ftuar të bashkohet me ne, të mos ndjekë Edi Ramën, as veglat e tij të shpifura e të kapura këmbë e krye si pengje nga Rama.

Ja ku e ka katandisur veten Rama, duke marrë 1-2 pengje e duke i shndërruar në aleatë mendon se do përballet me ne e do fitojë. Kurrë!”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: