MAT– Fshati Selixë në njësinë administrative Komsi, në Bashkinë e Matit, vijon të jetë një ndër fshatrat më problematik për shkak të distancës që ka nga qendra e njësisë apo qyteti i Burrelit.

Sikur të mos mjaftonte largësia, banorët e mbetur aty duhet të përballen me një sërë problemesh ku më kryesori është infrastruktura rrugore.

Banorët thonë se gjatë stinëve me shi dhe dëborë ata mbeten të izoluar, pasi rruga nuk funksionon.

Dëmtimi i saj ka bërë që shumë herë të transportojnë të sëmurët në krah. Mungesa e mirëmbajtjes së vazhdueshme, bën që rruga në fjalë të mos funksionojë për një periudhë të gjatë.

Po ashtu, problem mbetet edhe një urë e këtij fshati, e cila po rrezikon shembjen. Këmbët e urës po dëmtohen çdo ditë e më shumë, e në rast të shembjes totale, banorët thonë se nuk do të kenë më mundësi të lëvizin drejt Burrelit e anasjelltas me makinat e tyre.

Ata kërkojnë pak më shumë vëmendje nga pushteti vendor në mënyrë që edhe ata të lëvizin lirshëm e pa probleme.

Banorët e Selixës kanë vetëm këtë rrugë për të zbritur në qytetin e Burrelit, rruga e cila sidomos në dimër bëhet e pakalueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb