Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, ka raportuar për mediat punën e bërë gjatë një muaji. Ajo ka thënë se kanë adresuar të gjitha problematikat e regjistruara nga mediat dhe po punohet për rehabilitimin e tyre.

Po ashtu, ajo ka thënë se së bashku me OSBE kanë nisur një forum takimesh në qytete të ndryshme të vendit, ku të pranishëm do të jenë dhe deputetë. Sa i takon mbledhjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Nikolla tha se Shqipëria ndodhet gati për mbajtjen e kësaj mbledhjeje, që do të përcaktojë shumë në rrugëtimin që vendi do të ketë drejt anëtarësimit në BE.

“Pas publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian, Kuvendi ka ndërmarrë plan veprimi për rekomandimet që jepen në raport për Kuvendin që ndahet në tre problematika, në forcimin e transparencës. Meqenëse jemi këtu, ju falënderoj për vërejtjet që keni bërë. Kemi reaguar ndaj vërejtjeve që janë bërë për shërbimet parlamentare. Ju bëj me dije se është progresuar me transmetimin dhe dokumentimin. Sa i takon rekomandimit të progres raportit lidhur me zbardhjen e procesverbaleve, kam dëgjuar e urdhëruar që shërbimi i redaktorëve të operojë në kohë optimale.

Nëse është e mundur do të rrisim edhe numrin e redaktorëve. Në mbledhjen e radhës duhet të kemi për miratim procesverbalet në përputhje me rregulloret. Kuvendi ka bërë funksionale edhe platformën e komunikimit online dhe ju bëj me dije se deri tani janë regjistruar si përdorues të platformës disa organizata, janë diskutuar disa projektligje. Veprimtaritë parlamentare janë shtrirë edhe në territorin e vendit, në bashkëpunim me prezencën e OSBE, ku po organizohet një diskutim lokal, ku të pranishëm janë edhe deputetë. Deri më tani janë organizuar dy forumet e para në Vlorë e Durrës e do të vijohet me Lezhën. Pjesëmarrja në to ka qenë e mirë dhe niveli i angazhimit dhe i marrjes së detyrave konkrete patjetër që janë të një rëndësie të caktuar, ku edhe Kuvendi ka pjesën e tij specifike. Sa i takon lidhjes dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura, më lejoni t’ju bëj me dije se kam kontaktuar me ta, për të njohur problematikat e tyre dhe për t’i dëgjuar në kërkesat që ato kanë e për të bërë maksimumin për të adresuar kërkesat e tyre. Në buxhetin e shtetit ne kemi bërë të mundur të adresojmë disa kërkesa që lidheshin me mbështetje më të madhe të institucioneve të drejtësisë. Ju bëj me dije, që pranë Kuvendit është mbajtur edhe mbledhja e rektorëve, në zbatim të procedurës ligjore për zgjedhjen e 2 anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në seancën e datës 9 dhjetor, Kuvendi zgjodhi kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës. Më 22 tetor, mora pjesë në mbledhjen e konferencën e kryeparlamentarë të vendeve anëtare të Evropës. Konfirmojmë që Shqipëria ka përmbushur objektivat dhe vendimmarrja të jetë e tillë që të vijohet me konferencën e parë ndërqeveritare. Unë kërkova në emër të Shqipërisë që Këshilli i Evropës të bënte anëtare të saj edhe Kosovën. Më 26 nëntor, në Tiranë u mbajt sesioni i asamblesë parlamentare i mbështetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo është një mundësi për të rritur kontributin në paqen. Gjatë këtyre muajve Kuvendi i Shqipërisë, kemi qenë pjesëmarrës aktiv në fushata ndërgjegjësuese që lidhen në luftën ndaj dhunës. Shpejt do të kemi plan të përbashkët veprimi për të folur për fushata ndërgjegjësuese.

Do të takohemi përsëri dhe do të bëjmë të ditur planin e veprimit për vitin 2022. Janë formuar edhe grupet vullnetare në Kuvend. Po ashtu është në proces formimi dhe aleanca e grave deputete, është formuar si grup, por do të institucionalizohet në mbledhjen e parë të vitit 2022”, u shpreh Nikolla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: