Në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe formulën që duhet ndjekur për zgjidhjen e çështjeve të hapura, është referuar kryeministri grek në intervistën e djeshme për “Financial Times”. Aleksis Cipras ka transmetuar mesazhe në të gjitha drejtimet, duke u shprehur qartë se synon në një tjetër mandat qeverisje në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare, që do të kryhen brenda afatit të 20 tetorit 2019.

Tipras është referuar gjatë në këmbënguljen e kabinetit të tij për zgjidhjen e çështjes së Maqedonisë Veriore, duke rrëfyer se ishte i vendosur të ulte të dy palët në tryezë dhe të arrinte një marrëveshje. Kryeministri grek e konsideron një marrëveshje të balancuar e një arritje tepër të suksesshme, përderisa marrëdhëniet e normalizuara me fqinjët veriorë zgjerojnë hapësirën e investimeve dhe ekonominë e rajonit. Hapi tjetër i logjikshëm do të jetë zgjidhja e çështjeve të hapura me Shqipërinë, në pritje nga dialogu premtues i nëntorit të vitit 2017.

“Financial Times” përcakton çështjet e pazgjidhura në atë të kufijve detarë, abrogimin e ligjit të luftës nga viti 1945 dhe minoritetin grek në Shqipëri. Aleksis Cipras ka deklaruar se i ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se Tirana duhet të mbrojë plotësisht të drejtat e minoritarëve grekë, në rast të kundërt rruga drejt BE do të mbyllet. Nëse Shqipëria përmbush detyrimet për të drejtat e njeriut, thotë Tsipras “Greqia – dhe unë personalisht – do të mbështesim një vendim të mundshëm në qershor për çeljen e negociatave për dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut së bashku. Por ne nuk do të rrezikojmë çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, nëse ky vend ka arritur progresin e duhur. Kjo do të ishte e padrejtë!”.

Tsipras ka theksuar se Greqia nuk dëshiron të fitojë reputacionin e lektorit, duke treguar fuqinë apo duke përcaktuar kushte të ngurta për vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Ndërkohë që ka theksuar se “popujt e Ballkanit kanë nevojë për një nxitje të realizimit të reformave”.

Tsipras është referuar dhe në betejën e madhe elektorale që po kryhen për arritjen e një mandati të dytë në zgjedhjet parlamentare si dhe në reformat e fundit në favor të rritjes së ekonomisë dhe zhvillimit të Greqisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb