TIRANE- Rruga e Arbrit do të financohet dhe ndërtohet nga “China State Company”, përmes një procedure të veçantë jashtë ligjit të koncesioneve dhe atij të partneritetit publik-privat. Një projektligj i posaçëm është dërguar për shqyrtim në Kuvend dhe i akordon kontratën për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës drejtpërdrejt kompanisë kineze, pa konkurrim. Në relacionin e qeverisë thuhet se përjashtimi nga ligji bëhet për fillimin sa më shpejt të veprës, duke mundësuar shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove për mjetet. Sipas relacionit, i gjithë procesi i negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga një komision i posaçëm, i kryesuar nga Ministria e Transporteve, por me anëtarë edhe nga Ministria e Financave, ajo e Zhvillimit Ekonomik, e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit.

Komisioni do të ketë për detyrë të shqyrtojë propozimin që kompania kineze ka paraqitur në Ministrinë e Transporteve. Në këtë propozim janë përcaktuar kushtet financiare, afati dhe të gjitha detajet e tjera të draft-kontratës, që kërkon kompania kineze. Sipas relacionit, në rast se komisioni do t’i vlerësojë këto kushte si të përshtatshme, pasi të ketë përfunduar me shqyrtimin, do të përgatisë një projekt-kontratë, e cila u dërgohet për firmosje tre ministrave: atij të Transporteve,
ministrit të Financave dhe të Zhvillimit Ekonomik. Të tre ministrat kanë të drejtë të kërkojnë nga komisioni rinegocim të kontratës, nëse kanë rezerva për termat e saj.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: