Rruga ka qenë e ngushtë deri para pak javësh e ditësh. Për të mos thënë e mbyllur. Në radhë të parë, sepse Partia Demokratike nuk ishte në marrëdhënie të mira me SHBA. “Nuk ishte në marrëdhëniet të mira” është një mënyrë e butë të shprehuri, një eufemizëm. Ishte në përplasje me të. PD nuk kishte mbështetjen e Uashingtonit. As të administratës së ish-Presidentit Tramp, as të administratës së Presidentit Biden. Përtej takimeve të kortezisë, në asnjërën prej dy administratave nuk gjejmë gjatë katër-pesë viteve të fundit qoftë edhe një gjest politik kuptimplotë që të tregojë se SHBA dëshiron rikthimin e PD-së në pushtet.

Madje, nuk gjejmë as qëndrime të tipit “po erdhi, mirë, le të vijë”, qëndrime që e pranojnë faktin e kryer pa ndonjë shqetësim.

E vërteta është se SHBA nuk kanë dashur rikthimin e PD-së në pushtet as në vitin 2017, as në vitin 2021. Kjo ka qenë e qartë për këdo që merr vesh sadopak nga politika. Arsyet pse SHBA-të nuk kanë dashur një fitore të PD-së në zgjedhje janë të njohura. Por mund të këtë edhe arsye ende të panjohura. Të njohurat janë a) ekuivokët e PD-së në lidhje me Reformën në Drejtësi, shoqëruar me sprova të bllokimit të saj, siç ka qenë mosvotimi i komisioneve parlamentare ad hok për ngritjen e trupave të vetingut në pranverën e vitit 2017, b) djegia e mandateve si finalizim i një fushate të gjatë kërkesash e thirrjesh për djegien e tyre nga një numër i madh zyrtarësh e ish-zyrtarësh të lartë të Partisë Demokratike, c) tundimet dhe sprovat e protestave me molotovë përgjatë një periudhe që i pa zyrtarët amerikanë duke ngjitur shkallët e Partisë Demokratike vetëm për të komunikuar paralajmërime dhe vija të kuqe, d) bojkotimi i zgjedhjeve vendore. Të gjitha këto gjatë presidencës së zotit Tramp. Numërohen me gishtat e dorës zyrtarët e PDsë dhe intelektualët rreth saj që janë përpjekur t’i ndalojnë apo t’u kenë dalë publikisht kundër këtyre vendimeve. Përkundrazi, shumica prej tyre i kanë brohoritur si ngjarje historike. Njerëzit gabojnë, dështojnë në parashikime, pendohen, por të paktën të mos hiqen sot sikur nuk kanë qenë këtu fare.

Në lidhje me Shqipërinë, Presidenca Biden trashëgoi nga Presidenca Tramp të njëjtën politikë të vendosjes së ndëshkueshmërisë në sferat e larta si një domosdoshmëri për çlirimin e vendit aleat nga korrupsioni në sistem dhe aleanca e politikës me krimin e organizuar. Por duke e forcuar këtë politikë përmes trajtimit të korrupsionit dhe minimit të demokracisë në Shqipëri si dukuri që cenojnë sigurinë kombëtare të SHBA. Tani është kuptuar qartë se Departamenti i Shtetit kishte vendosur emërimin non grata të Berishës përpara zgjedhjeve të 25 prillit, por e kishte shtyrë shpalljen pas zgjedhjeve për të mos influencuar në mënyrë brutale në zhvillimin e tyre. Në këto kushte, SHBA, sigurisht që nuk e prisnin fitoren e PD-së.

Duhet të përsërisim se SHBA nuk i mbajnë dorën kujt si të votojë. Kur e çmojnë të arsyeshme e të përligjur, SHBA mbështesin publikisht një parti apo koalicion partish. Kështu ka ndodhur, për shembull, në zgjedhjet shqiptare të vitit 1992 në Shqipëri, kur ambasadori amerikan i asaj kohe, zoti Rajerson, në emër të shtetit të tij, mbështeti me të gjitha forcat fitoren e PD-së dhe festoi në tribunë përkrah Berishës dhe drejtuesve të tjerë demokratë të asaj kohe. Rreshtimet e hapura si ky po që po evokojmë këtu përbëjnë një përjashtim. Rregulli në politikën amerikane është mosmarrja anë. Por qëndrimet, gjestet, deklaratat flasin. Njerëzit në Shqipëri e kuptojnë me arsye dhe intuitë pozicionin e SHBA, pa qenë nevoja që ata të shprehen hapur. Shanset e fitores së një partie në Shqipëri me SHBA në mbështetje janë reale, të mëdha. Me SHBA kundër, shanset për të fituar kanë qenë, janë e do të jenë zero. Veç po të kthehej historia, të vinte një Enver, të gjente një Stalin, të zhdukte pluralizmin dhe votën e fshehtë, të prishte marrëdhëniet diplomatike me SHBA, gjë që do të ishte një fatkeqësi e përsëritur kombëtare, por që nuk do të ndodhë më kurrë.

Praktikisht, pas një periudhe mbylljeje dhe përplasjesh me SHBA si ajo që përshkruam më lart, rruga e PD-së drejt fitores është hapur. Kjo mund të duket paradoksale në kontekstin e vështirësive që po kalon aktualisht kjo parti pas vendimit të Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar Berishën dhe pas lëvizjes shpaguese që ka nisur Berisha për ta shkarkuar.

Por është më reale se asnjëherë tjetër gjatë këtyre katër viteve në kuptimin e heqjes së pengesave të mëdha që nuk e kanë lejuar e do ta vështirësonin edhe në të ardhmen fitoren e PD-së.

Pengesa e parë e hequr është skepticizmi dhe mosdashja amerikane. Me vendimin që mori Basha, mosdashje është shndërruar dhe po shndërrohet në mbështetje preferenciale. E dëshmoi dhe e tha qartë ambasadorja e SHBA në Tiranë, zonjë Juri Kim në ndalesën e saj domethënëse nga Uashingtoni, ku kishte takuar shefat e saj drejt e në selinë e PD-së dhe në zyrën e kryetarit të saj. “Ne ishim pranë Partisë Demokratike kur ajo mori pushtetin për herë të parë dhe shpresojmë që të kemi mundësi të festojmë prapë kur ajo të marrë pushtetin sërish”, ishte një nga paragrafët e deklaratës së zonjës Kim. Përqasja me zgjedhjet e vitit 1992 është kuptimplote. Asnjëherë që nga ai vit tashmë i largët nuk ka ndodhur që ndonjë ambasador apo zyrtar i lartë amerikan të bëjë një deklaratë mbështetëse kaq të hapur për PD si kjo e ambasadores Kim së fundi.

PD duhet ta çmojë, ta mbajë fort e ta zhvillojë këtë mundësi që nuk vjen shpesh. Madje, vjen shumë rrallë. Kur them PD, kam parasysh strukturat e saj, të zgjedhurit e saj, demokratët pa dallim në parti e rreth partisë. Të kesh mbështetjen e hapur të SHBA, do të thotë të kesh në duar një premisë të fuqishme për të rritur mbështetjen në publikun e gjerë. Rrugët e tjera-të vëmë në krye të partisë dikë që anulon vendimin e Bashës, të presim të humbin zgjedhjet demokratët në SHBA , të presim të vinë republikanët, e çfarë dëgjojmë të thuhet tjetër- janë jo vetëm të gjata, por edhe pa asnjë garanci se do të jenë të hapura.

Pengesa e dytë që ka hequr Lulzim Basha me vendimin që ka marrë është eliminimi i perceptimit të dualizmit se kush është kryetari real i Partisë, Basha apo Berisha. Dualizmi në drejtimin e një partie politike, sidomos e një partie të djathtë, është një anomali madhore që nuk e lejon atë parti të fitojë edhe po të mos ketë probleme të tjera. Kjo nuk ka lidhje me personat, por me fenomenin. Dualizmi “Berisha apo Basha” e ka shoqëruar Partinë Demokratike për tetë vjet më radhë. S’ka rëndësi sa real ka qenë. Në politikë perceptimi ka vlerën e faktit. Një perceptim i tillë pakëson vota për subjektin. Kur nuk e kanë të qartë kush është zot shtëpie në partinë më të madhe të opozitës, votuesit, sidomos ata të elektoratit gri që mbajnë kyçin e artë të fitores, rrinë në shtëpi ose zgjedhin një parti tjetër. Jo rastësisht, slogani më i përdorur i Ramës në zgjedhjet e 25 prillit ishte “votat për PD i shkojnë Saliut, jo Lulit”. Rama synonte të nxirrte përfitime dhe besoj se nxori, duke manipuluar me këtë lloj ngatërrese. Mund të themi çfarë të na vijë në mendje kundër Ramës. Kundërshtari këtë punë ka. Kap pikat e dobëta. Ne mund të kishim përsëritur pa pushim se kryetari është Basha, jo Berisha, por sa para bën. Në këtë rast ka qenë pikësëpari detyra e Berishës të shmangte perceptimin sikur ishte kryetari i kryetarit përmes tërheqjes nga politika aktive siç bëjnë gjithë liderët historikë a karizmatikë kur lënë detyrën apo përmes menaxhimit ndryshe të protagonizmit të tij. Ka qenë edhe e Bashës kjo detyrë. Janë shumë që i kanë kërkuar me kohë Bashës t’i vërë kufirin Berishës. Në dritën e zhvillimeve të fundit mund ta kuptojë sa të vështirë e ka pasur.

Tani problemi i dualizmit është zgjidhur në PD. Më pak nga Basha që e largoi Berishën nga grupi parlamentar, por jo nga Këshilli Kombëtar dhe partia. Më shumë nga Berisha që reagoi fort për ti marrë Bashës drejtimin e Partisë. Sikur një lëvizje e tillë të ishte bërë për shtyrjen e fushatës së zgjedhjeve për kryetarin e PD-së me qëllim që t’u jepej kohë kandidatëve rivalë, siç është kërkuar nga disa zëra publikë, përfshirë autorin e këtyre radhëve apo sikur lëvizja anti-Basha me pjesëmarrjen apo me kryesimin e Berishës të kishte zbritur në fushatën që u bë ku rivalët ishin në arenë, sigurisht që do të kishte qenë e dobishme sido që të kishte shkuar. Sot nuk mund të jetë e tillë për arsye se është motivuar nga shpagimi dhe ka një qëllim- anulimin e vendimit që mori Basha- që po të realizohet e kthen problematikën e dualizmit dhe marrëdhënieve me SHBA në pikën e nisjes. Së paku këtë legjislaturë.

Pengesa e tretë që është hequr ka lidhje me alibitë që ka përdorur Rama për të mbajtur pushtetin e abuzuar pa frikë me të, duke u mëshuar stilemave të tij të dashura se PD është antiamerikane, se PD drejtohet nga një kukull e tjerë e tjerë. Të gjitha kanë rënë e po bien. Po bie “legjenda” sikur ai është alternativa e vetme, investuar sa nga rrethanat e zhvillimeve brenda vendit, sa nga lobet e tij në kryeqytetet e vendeve të perëndimit. Amerikanët e bënë të qartë se Rama nuk është alternativa e vetme. Për Ramën po fillon periudha e përballjes me partnerët për dështimet dhe hilerat e tij. Ai ka radhën për t’u larguar. Karta e vetme që i ka mbetur është të mbajë ndezur me parimin hidh gurin e fshih dorën sherrnajën në PD, duke e rreshtuar veten në bllokun e establishmentit të vjetër që kërkon të silurojë ndëshkueshmërinë. Partnerët e kanë gjetur zgjidhjen. Dora– dorës edhe zgjedhësit në vend. Zgjidhja është PD, në PD. Kjo nuk do të thotë se fitorja i jepet dhuratë. PD duhet ta meritojë. Me hapje, me modernizim./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: