Rruga kombëtare Berat-Skrapar ka pësuar dëmtime të mëdha. Rruga e vetme që lidh Beratin me Skraparin po shkon drejt degradimit të plotë, për shkak të mungesë të investimeve. Ky aks i rëndësishëm, që u shërben disa mijëra banorëve është kthyer në burim aksidentesh, ndërkohë që problematikat nisin që në kilometrat e para të saj.
Nga Berati deri në fshatin Vërtop rruga është e prishur thuajse plotësisht.

Asfalti i rrugës është hequr në shumë pjesë dhe në disa kthesa të rrezikshme të rrugës çarjet në asfalt janë kthyer në rrezik potencial aksidentesh, kur dihet që në këtë aks çdo ditë qarkullojnë qindra automjete pasi kjo rrugë lidh mijëra banorëve të tre bashkive.

Më problematike rruga paraqitet në fshatrat: Vërtop, Mbrakull, Pronovik, Bogovë dhe Uji i Zi, ku rruga ka pësuar jo vetëm çarje e dëmtime por edhe rrëshqitje në disa segmente të saj.

Banorë e drejtues mjetesh thonë se në disa pjesë të saj, aksi është gati i pakalueshëm dhe kërkohet ndërhyrje. Drejtuesit e mjeteve deklarojnë se në këtë aks kujdesi duhet të jetë maksimal, pasi në të kundërt rrezikohesh të përfshihesh në aksidente të pashmangshme. Sipas tyre, edhe kur janë bërë ndërhyrje të pjesshme në këtë aks cilësia e asfaltit ka qenë e dobët pasi rruga është çarë. Ata kërkojnë që qeveria të vërë dorë në këtë rrugë, ku aksidentet gjatë 5-viteve të fundit janë shtuar.

Rruga e vetme që lidh qytetin e Beratit me atë të Skraparit është lënë në harresë totale nga qeveria. Asnjë investim nuk është realizuar në këtë aks nacional, ku rrugës së shkatërruar i shtohet edhe vështirësia në qarkullim për shkak të kthesave të shumta e të rrezikshme dhe terrenit malor. Vetëm një vit më parë, bashkia Poliçan ndërhyri në disa segmente për mbylljen e gropave në rrugë por sërish rruga pësoi çarje e plasaritje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb